Spahia: Projektligji i biocideve krijon ngërçe procedurale dhe kushte për përqendrim të tregut

TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia u shpreh sot kundër projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin, ‘Për shërbimet dhe produktet biocide në shëndetin publik’, të ndryshuar”, duke e cilësuar atë të paplotë dhe problematik për funksionimin e tregut.
Sipas Spahisë, projektligji është risjellë nga legjislatura e kaluar pa asnjë ndryshim, duke mos adresuar shqetësimet kryesore të ngritura më herët për kontrollin dhe mbrojtjen nga substancat biocide të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve.
Ai deklaroi se nisma “sjell ngërçe procedurale dhe krijon kushte për përqendrim të tregut”, ndërsa sipas tij, dispozitat nuk ofrojnë mekanizma të qartë kontrolli për përdorimin dhe shpërndarjen e këtyre produkteve.
Spahija u ndal posaçërisht te përdorimi i substancës fotoksinë, për të cilën tha se “nuk përdoret në asnjë vend europian dhe është tejet e rrezikshme për jetën”, ndërsa akuzoi institucionet se “askush nuk po mban përgjegjësi për qarkullimin dhe përdorimin e saj në Shqipëri”.
Sipas deputetit të opozitës, projektligji: nuk parandalon dhe nuk kontrollon shitjen e substancave biocide në të gjithë vendin; cenon vendimmarrjen, duke “shfuqizuar rolin e Institutit të Shëndetit Publik” dhe duke ngritur një strukturë të re, të cilën ai e konsideron joefikase dhe mbivendosëse; nuk përputhet me standardet e Bashkimit Europian në disa nene; nuk trajton çështjen e substancave të rrezikshme, përfshirë fotoksinën; nuk përcakton kriteret e qarta për subjektet që autorizohen të trajtojnë dhe tregtojnë këto produkte dhe hap rrugë për abuzime me gjoba, për shkak të kritereve të paqarta.
Spahia shtoi se 37% e produkteve biocide në treg nuk janë në përputhje me standardet e BE-së, duke kërkuar që projektligji të rishikohet plotësisht.
/e.xh/a.f/r.e/