E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahia kundër homoseksualëve, Totozani: Të sqarojë pozicionin

Aktiviteti i paralajmëruar nga komuniteti LGBT, për zhvillimin e një parade të gay-ve në 17 maj ka shkaktuar reagime të shumta edhe ndërmjet institucioneve. Një ditë më parë kryetari i partisë Lëvizja e Legalitetit njëkohësisht edhe zv/ministër i mbrojtjes Ekrem Spahiu, ka deklaruar se e vetmja deklaratë që ka për këtë komunitet është “t`i kap në hu”.
 

Pas deklarates ka reaguar institucioni i Avokatit të Popullit, i cili i ka kërkuar zyrtarit të qeverisë të deklarohet menjëherë mbi vërtetësinë e këtij citimi dhe të kërkojë në mënyrë urgjente ndjesë publike nëse kjo deklaratë fyese dhe denigruese është qoftë edhe pjesërisht e vërtetë.
 

“Avokati i Popullit dënon fuqishëm çdo deklaratë dhe shprehje të këtij formati, që nuk ka asgjë të përbashkët me frymën e tolerancës, bashkëjetesës dhe diversitetit, si vlera tradicionale të shoqërisë shqiptare. Përveç kësaj deklarata të tilla nxisin dhunën dhe urrejtjen duke përbërë kështu edhe një vepër penale.
Duke e konsideruar këtë mendësi, si krejtësisht të papranueshme, Avokati i Popullit apelon çdo zyrtar shtetëror të çdo niveli, mbi papajtueshmërinë flagrante të këtyre deklaratave me procesin e integrimit dhe vlerave europiane që mbart ky proces, vlera të cilat përjashtojnë kategorikisht sjellje dhe mendësi të tilla”, thuhet në reagimin e institucionit të Avokatit të Popullit.
 

Ndërkaq Aleanca Kundër Diskriminimit dhe Pro LGBT, dy organizata që punojnë në mbrojtje të të drejtave të komunitetit homoseksualë kanë reaguar sot duke kërkuar shkarkimin urgjentisht të Ekrem Spahisë, nga posti që ai mban. Madje ata kanë kërkuar që Spahiu të largohet përfundimisht nga politika, pasi një person që nuk bashkon, por ndan, nuk i duhet politikës së një vendi që aspiron të integrohet në Bashkimin Europian.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›