Fletëarresti i Serbisë për Limajn, Kuçi: Po e shfrytëzon për fushatë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka reaguar ndaj pohimeve të zëvendësprokurorit serb për krime lufte, Bruno Vekariç, se deputeti Fatmir Limaj dhe ish-luftëtarët e UÇK-së do të arrestohen sapo të dalin jashtë Kosovës. Kuçi ka theksuar se këto janë një skandal tjetër i Qeverisë së Serbisë, të cilin, ajo po e shfrytëzon për fushatë elektorale. Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi ka thënë se këto veprime të Qeverisë së Serbisë janë skandaloze, duke shtuar se kjo do të ndikojë negativisht në raportet Kosovë-Serbi.“Besoj që veprimet e tilla të Qeverisë së Serbisë janë skandaloze, jo vetëm në këtë rast, por edhe në raste tjera me personalitete dhe udhëheqës të shquar të luftës për çlirim dhe pavarësi ka bërë njëjtë. Por unë jam i bindur që Interpoli dhe menkanizmat e tjerë ndërkombëtar nuk do të jenë pre e këtyre motiveve politike të Serbisë përballë personaliteteve tona në veçanti ndaj rastit konkret të zotëri Limaj”, ka thënë zëvendëskryeministri Kuçi. Zëvendësi i prokurorit serb për krime lufte, Bruno Vekaric, ka deklaruar sot se Fatmir Limaj, do të arrestohet sapo të dalë nga territori i Kosovës, sepse Serbia ka lëshuar një fletë arrest ndërkombëtar kundër tij.