Spahiu: Hyrje-daljet e mia në Kosovë, Strugë, Tetovë e Ulqin? Nuk kam dalë jashtë Shqipërisë
Zëvëndëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, ka reaguar në lidhje me deklaratat e deputetit demokrat, Enkelejd Alibeaj, që është dhe në krye të komisionit të ngritur për shkarkimin e tij. Albibeaji pretendoi se Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka refuzuar dhënien e dokumentacionit të kërkuar si dhe publikoi të dhëna se Kreshnik Spahiu, sipas raporteve të policisë, ka 39 hyrje-dalje të regjistruara jashtë Shqipërisë.
Spahiu është shprehur se “prej datës 1 shkurt 2012 në Këshillin e Lartë të Drejtësisë ka filluar zbatimi i programit të auditimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për periudhën kohore 01/09/2008 deri me 13/12/2011. Në këto kushte Këshilli i Lartë i Drejtësisë është në respektim të plotë të detyrimit kushtetues ndaj Kontrollit të Lartë të Shtetit si i vetmi organ kushtetues për të kryer kontrollin ekonomik, financiar dhe ligjor të institucioneve të pavarura, si dhe të vetmit autoritet që dorëzon dhe raporton në Kuvendin e Shqipërisë për këto kontrolle.
Përsa i përket pretendimit të Alibeajt për 39 hyrje-daljet në tre vjet e gjysmë, Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, deklaroi se:
Aleanca Kuq e Zi ka dhjetë muaj që është krijuar dhe jo tre vjet e gjysëm, por dëshira për të shtuar numrin e hyrje-daljeve i detyron të shtrihen në kohë. Një pjesë e madhe e hyrje-daljeve janë në Kosovë, Struge, Tetovë, Ulqin, gjë të cilat nuk i konsideroj udhëtime jashtë Shqipërisë, ndryshe nga z.Alibeaj. Asnjë hyrje-dalje nuk është në konflikt interesi me detyrën. Ftoj për interes të publikut dhe respekt të transparencës ndaj tij të publikohet çdo hyrje-dalje e ministrave, deputetëve, dhe zyrtarëve të lartë të vendit tonë në referencë krahasuese me hyrje-daljet e mia.