Spanja, de la Fuente: Tensioni mes Yamal dhe Carvajal? Këtu gjithçka është në rregull

Luis de la Fuente donte të ulte tensionet dhe të rikthente vëmendjen në fushë në prag të ndeshjeve kundër Gjeorgjisë dhe Turqisë, të cilat janë thelbësore për ta mbajtur Spanjën në krye të renditjes së FIFA-s dhe për ta mbyllur vitin sa më mirë. Trajneri foli për rastin e Lamine Yamal, i cili ka qenë në qendër të vëmendjes që nga përplasja e tij me Dani Carvajal në El Clasico.
“Duke parë ndeshjen e fundit, Lamine është gati të luajë. Kemi dy ndeshje të rëndësishme dhe do të fusim lojtarët tanë më të mirë”, shpjegoi De la Fuente, i cili shmangu çdo polemikë në lidhje me klubet dhe garantoi për një ambjent të qetë në përfaqësuese. “Më kujtohet Lamine duke përqafuar Carvajal pas golit kundër Kroacisë. Nuk ka probleme këtu, ajo që ndodh në klube mbetet aty”.
Asnjë kontakt, për momentin, me Hansi Flick: “Do të flasim së shpejti, por nuk ka asgjë për të diskutuar”, e ndërpreu shkurt trajneri, duke dashur gjithashtu të përsëriste nevojën për të mbrojtur Yamalin, i cili është ende i ri: “Ne duhet ta mbështesim atë në udhëtimin e tij, është përgjegjësi e të gjithëve”.