Spanja e liron Adnan Jasharin

Adnan Jashari, i dyshuar për vrasjen e Diana Kastratit në vitin 2011 në Prishtinë, që është arrestuar disa ditë më parë nga autoritetet spanjolle, tani figuron si person i lirë.
Burimet e Indeksonline të afërta me këtë rast kanë thënë se Adnan Jashari ndodhet i lirë tash e disa ditë.
Jashari ndonëse ishte raportuar se ndodhej prapa grilave në shtetin spanjoll, ai vazhdimisht ka qenë i kërkuar nga Interpoli.
Në faqen e internetit të këtij institucioni ndërkombëtar, vazhdon të jetë e publikuar fotografia e të dyshuarit Adnan Jashari si person në kërkim.
Fotografia e tij është në mesin e 48 kosovarëve të tjerë që kërkohen prej vitesh për krime të ndryshme.
Ndryshe nga ky ueb-sajt, në atë të Policisë së Kosovës, Jashari figuron si person i arrestuar.
Pas marrjes së informacionit se policia spanjolle ka arrestuar të dyshuarin Jashari, menjëherë EULEX-i i ka dorëzuar Spanjës kërkesën për ekstradimin në Kosovë për Jasharin. Kjo pasi që Kosova nuk ka marrëveshje diplomatike me Spanjën, lehtësimet e procedurave të ekstradimit do t’i bëjë EULEX-i.
“Misioni do të lehtësojë në procedurat e ekstradimit të Adnan Jasharit nga Spanja. EULEX-i tashmë ua ka dorëzuar autoriteteve spanjolle kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë për ekstradim”, kishte deklaruar, zëdhënësi i Misionit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX-it, Blerim Krasniqi.
Ai nuk kishte dhënë ndonjë datë se kur pritet të ekstradohet i dyshuari, por kishte deklaruar se janë në procedurë e sipër.
Indeksonline ka tentuar edhe sot të kontaktojë me zyrtarët e EULEX-it për të marrë një përgjigje përkitazi me informacionin që Jashari tani ndodhet i lirë, por një gjë e tillë ishte e pamundur./Indeksonline/