Spanja, vera më e nxehtë në histori/61 ditë me temperatura ekstreme dhe mijëra viktima

Spanja ka kaluar verën më të nxehtë që prej nisjes së matjeve meteorologjike, në vitin 1961. Gjatë qershorit, korrikut dhe gushtit, vendi përjetoi 61 ditë me temperatura ekstreme, një rekord i ri. Temperatura mesatare e verës arriti në 24,5 gradë Celsius, duke kaluar rekordin e vitit të kaluar me 0,3 gradë.
Krahasuar me mesataren e viteve 1991–2020, temperaturat ishin 2,4 gradë më të larta, ndërsa të dhënat tregojnë se 10 verat më të nxehta në Spanjë janë regjistruar të gjitha në shekullin XXI. Nxehtësia nisi që në fund të majit dhe vazhdoi deri në ditët e para të shtatorit, kur në El Granado u shënuan 45,7 gradë Celsius, duke barazuar rekordin kombëtar për muajin shtator.
Temperaturat e larta kanë marrë edhe një kosto të rëndë njerëzore, pasi Instituti i Shëndetit Carlos III vlerëson se mbi 5 mijë persona kanë humbur jetën nga nxehtësia gjatë tre muajve të verës. Shkencëtarët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor po i bëjnë valët e të nxehtit më të forta dhe më të gjata në Evropë.
Thatësira dhe temperaturat ekstreme kanë prekur gjithashtu lumenjtë, bujqësinë dhe jetën e përditshme të miliona njerëzve. Kushtet e thata favorizuan edhe përhapjen e zjarreve masive, ndërsa një prej tyre pranë Madridit detyroi dhjetëra mijëra banorë të largoheshin nga shtëpitë dhe u cilësua si zjarri më i madh i viteve të fundit në vend. Deri më 2 shtator, në Spanjë ishin djegur rreth 296 mijë hektarë tokë, duke e kthyer verën e vitit 2026 në një nga periudhat më ekstreme klimatike të regjistruara në historinë e vendit.
/rtsh.al/