Spanjë, arrestohet makinisti i trenit fatal
Një prej makinistëve të trenit fatal, përplasja e të cilit shkaktoi vdekjen e 78 personave është arrestuar në dhomën e tij të spitalit, në veri-perëndim të Spanjës, ku hetuesit po përpiqen të përcaktojnë nëse sjellja e pamatur shkaktoi daljen e trenit nga shinat, thanë autoritetet spanjolle të Premten.
Sipas Jaime Iglesias, komandatit të policisë kombëtare nga Galicia, 52-vjeçari makinisti, Francisco Jose Garzon Amo, është në fokusin e hetimit kriminal. Komandanti i policisë tha gjatë një konference për shtyp se hetuesit janë në pritje të përmirësimit të kushteve të tij shëndetësore, për të nisur marrjen në pyetje të tij në lidhje me përplasjen e së Mërkurës. Një hetim gjyqësor ka nisur gjithashtu në spital, ku ai është shtruar për mjekim, megjithëse makinisti ka refuzuar ti përgjigjet çdo pyetje fillestare, shtoi komandanti i policisë.
Fotografitë e makinistit, fytyra e tij e gjakosur, u shfaqën dukshëm në gazetat spanjolle, së bashku me pamjet e kapura nga faqja e tij në Facebook, tashmë e fshirë, në të cilën ai ishte mburrur vitin e kaluar për kapjen e shpejtësisë prej 200 km/orë. 52 vjeçari është një veteran në profesionin e tij sipas shtypit spanjoll. Julio Gomez-Pomar, presidenti i Renfe i rrjetit spanjoll hekurudhor, e përshkroi makinistin gjatë së premtes si një punonjës sezonal, i cili kishte kaluar në të njëjtin vend ku ndodhi aksidenti, rreth 60 herë të tjera pa shkaktuar incidente, si dhe kishte njohuri të plota mbi linjën hekurudhore.
Kutitë e zeza, të rikuperuara nga treni i shkatërruar, “Alvia 151″, mund të ndihmojnë në shpjegimin se pse treni doli nga shinat në kthesë, teksa po i drejtohej Santiago de Compostela me dyfishin e shpejtësisë së lejuar.
Tashmë, me identifikimet e reja të trupave, numri i të vdekurve është konfirmuar në 78 të tillë. Shumica e tyre ishin nga Spanja, por kishte edhe pasagjerë nga Algjeria, Republika Domenikane, Meksika dhe Shtetet e Bashkuara.