Spanjë, kriza tkurr popullsinë
Popullsia e Spanjës ra vitin e kaluar për herë të parë në dekada, për shkak se emigrantët braktisën vendin si pasojë e krizës së rëndë ekonomike.
Instituti Kombëtar i Statistikave deklaron se numri ra me 206 mijë njësi, një shifër e përbërë tërësisht nga të huajt, në 47.1 milionë banorë.
Rënia më e madhe u regjistrua nga emigrantët nga Ekuadori dhe Kolumbia. Shifrat nuk marrin parasysh spanjollët që janë larguar por që janë ende të pranishëm në census.
Agjencia e statistikave regjistroi rënien e parë të popullsisë që prej censusit zyrtar në fillim të viteve 90. Edhe pse numri i vendasve u rrit në vitin 2012 me 10 mijë njësi, shifra ishte shumë herë më e vogël krahasuar me atë të 216 mijë rezidentëve të huaj.
Shifrat tregojnë se zgjatja e krizës ekonomike ka shkaktuar një lloj reçesioni ndaj rritjes së shpejtë të popullsisë në dekadën para fillimit të krizës në vitin 2008.
Niveli i lartë i papunësisë ka detyruar shumë emigrantë nga Amerika e Jugut dhe Europa lindore që të braktisin vendin.