Spartak Ngjela: Berisha, bashkë me interesin shqiptar, po dëmton dhe interesin amerikan
Avokat Spartak Ngjela shprehet se Berisha po del kundër SHBA dhe politikës së saj në Ballkan. Ai thotë se abuzimi i tij me pushtetin dhe sulmi ndaj institucioneve, për bën, veç të tjerash, edhe nje sulm ndaj interesave amerikane.
Nga Skënder Minxhozi
Zoti Ngjela, duket qartë se maxhoranca nuk do ta ketë të lehtë të imponojë Presidentin e saj kushtetues. Cili do të jetë, sipas jush, identikiti i kreut të ri të shtetit? Një figurë politike e negociuar, një person publik jashtë politikës, apo një zgjedhje e tretë?
Çeshtja e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, ka tepër mundësi që ta sjellë gjendjen shoqërore në Shqipëri në një përplasje, e cila, sigurisht që do të varet shumë nga fakti sesa e madhe do të jetë intransigjenca e Sali Berishës në lëshimin logjik dhe historik të kësaj çeshtjeje. Unë mendoj se Saliu e ka ndërkohë në skemën e tij të mbrojtjes, marrjen me çdo kusht të Presidentit. Por ai ka gabuar dy apo tre vjet rresht me këtë çeshtje; sepse, kur ka ndërmarrë nismën legjislative për të shtënë në dorë Shërbimin Informativ, mendjen e kishte te largimi i CIA-s nga Shqipëria. Eshte e kuptueshme se, çdo kryeministër që abuzon me pushtetin, që do të manipulojë vijimisht votat dhe që ka një plan patologjik kundër vendit të tij, gjënë e parë që bën është vënia në dorë e shërbimit inteligjent. Këtë bëri edhe Saliu, por u tërhoq, sepse amerikanët, përkatësisht CIA, e cila ka një kontratë partnershipi me SHISH, nuk ia lejuan që ta vijonte rrugën e nisur, madje edhe e kërcënuan. Pas kësaj, ai e vijoi edhe më rëndë çeshtjen e tij abuzive si në korrupsion, ashtu dhe në dëmin antikombëtar që sjell me politikën e tij bllokuese. Por, më në fund, vrasjet e 21 janarit, e kanë disekuilibruar atë tërësisht, për ta sjellë në një nivel naiv dhe qesharak, sepse nuk ka aftësi që të shohë një rrugë tjetër shpëtimi, me përjashtim të asaj që të ketë në dorën e tij postin e Presidentit të Republikës. Pak rëndësi ka për të nëse do të jetë vetë, apo do të jetë një kukulla e tij, e kapur, dhe e dominuar politikisht e moralisht prej tij.
E gjithë kjo tablo analitike që përshkrova, më sjell në mendimin se Sali Berisha do të ketë një përplasje si brenda vendit, me opozitën, ashtu edhe jashtë tij, si politikë globale amerikane, e cila e ka Shqipërinë në vëmëndjen e saj kontrolluese në luftën globale kundër terrorizmit. Por këtu na del përpara kjo pyetje: përse e kërkon Sali Berisha largimin e CIA-s nga Shqipëria, dhe pse kërkon ti kundërvihet hapur politikës amerikane në Shqipëri? Para së gjithash ai asnjëherë nuk ka qënë dakord në konkordancën ose në bashkimin që kanë interesi shqiptar dhe interesi amerikan në Ballkan. Për këtë ai kuptohet se luan një tjetër lojë, që sigurisht që është kundër interesave të Shqipërisë.
Por, kjo sigurisht që nuk do ta kishte shqetësuar, sepse ne shqiptarët ende nuk jemi të ndjeshëm për interesin tonë kombëtar; por ai, duke dalë kundër interesit shqiptar, dëmton interesin amerikan; dhe, sigurisht që kjo, përbën pikën e rrezikut imediat për të. Fati i keq politik i tij ka qënë gjithmonë pleksja e interesit shqiptar me interesin amerikan në Ballkan. Por, në këtë kohë, kjo do të jetë me shumë pasoja për të, sepse, nëse në vitin 1997, kur ai u ndodh në të njetën situatë, nuk ka qënë i kapur dhe nuk kishte prova për aktivitet të tij kriminal, sot, ai ka shumë prova korruptive në dëm edhe të shoqërisë shqiptare, por edhe të komunitetit ndërkombëtar perëndimor. Pastaj është i kapur me prova reale, se është autori i vrasjeve të 21 janarit; ende nuk e ka kapërcyer çeshtjen e Gërdecit; dhe nuk dihet se çfarë kërkon kur përcjell dokumentat sekrete të NATO-s te kundërshtarët e saj. Të gjitha këto, që janë të rënda për të, e shtyjne drejt Presidentit të ri. Por a do ta marrë dot? Për të gjitha këto që thamë, unë mendoj se ai do të tentojë, por kje tentativë prej cubi do të jetë shkatërrimi i tij përfundimtar.
Si po sillet partia më e madhe e opozitës, në këtë fillimviti, në raport me temat politike kryesore? Si do ta vlerësonit cilësinë e të bërit opozitë nga ana e PS?
Opozita nuk është në filozofinë e saj realisht të ndërtuar si opozicion, me frymën perëndimore të aksionit politik. Ka ndërruar sens; por kam përshtypjen se, kryetari i Partisë Socialiste, ka ndërruar aksionin politik me pragmatizmin. Nuk është hap i vogël, por mendoj se është shumë i vështirë që të realizohet në Shqipëri. Deri tani, nuk ka qënë keq, por, pragmatizmi është instrumentalizëm, dhe, nëse Rama do ta krijojë vërtet instrumentin që ka nisur, atëherë fitorja jonë është e padiskutueshme. Unë mendoj se do ta realizojë instrumentin pragmatik të një politike step by step, ndonëse do ketë shumë vështirësi. Por duhet pritur. Kurse ju, me të drejtë mund të pyesni: cili është instrumenti pragmatik i Edi Ramës? Këtë duhet ta gjeni vetë. Unë ju ndihmova, të paktën që ua solla ndërmend.
Ikja e Spahiut, por edhe ngjarjet e muajve të fundit, duke nisur nga zgjedhjet e 8 majit, e kanë futur drejtësinë në një spirale edhe të thellë paqartësie, varësie nga politika dhe shkeljesh ligjore. Si shërohet sipas jush drejtësia shqiptare?
Çështja e drejtësisë shqiptare nuk është një diskutim apo një intervistë gazete apo reviste. Çeshtja e drejtësisë shqiptare është çeshtje reforme; dhe unë mendoj se për këtë duhet të flasim në mënyrë të vecantë.
Eshtë folur gjatë për frontin e tretë, atë të së djathtës alternative. Ju jeni shprehur se e keni një aleancë politike me opozitën. A do të rreshtoheni me Bamir Topin, pasi ai të shpallë partinë e tij së afërmi, apo do të vijoni të merrni pjesë në koalicionin opozitar të drejtuar nga Rama?
Unë e shoh në shumë simpati lëvizjen e re Topi. Ajo kam përshtypjen se do të krijojë Supernovën e Partisë Demokratike, domethënë shpërbërjen e vjetërsisë të një partie primitive, për riformimin e saj realisht djathtas, realisht demokratik dhe të intelektualizuar. Sot atje dominon rrjedha anti intelektualiste e primitivizmit politik, që vjen nga arketipi i Enver Hoxhës. Kurse Topi i ka të gjitha mundësitë që ta shkëpusë nga ky arketip. Përsa më përket mua, unë nuk i prish kurrë aleancat, dhe ju tani e dini devizën time: Unë nuk kam shkelur asnjë ligj dhe nuk kam prishur apo shkelur asnjë marrëveshje.
Revista JAVA
