Specialiteti ORL në spitalin e Gjirokastrës, rikthehen ndërhyrjet kirurgjikale pas 1 dekade mungesë

Spitali rajonal “Omer Nishani” dita – ditës po pasurohet me aparatura dhe mjete të ndryshme që ndikojnë drejtëpërdrejt në rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj pacientëve. Së fundi ndryshime kanë ndodhur edhe në shërbimin ORL, ku përvec vizitave të përditshme kryhen edhe ndërhyrje kirurgjikale.
Ato realizohen nga mjeku kirurg ORL, Petrit Mollsi, i cili është bërë pjesë e bluzave të bardha të këtij institucioni shëndetësor prej 4 muajsh. Ardhja e tij në Gjirokastër përkoi edhe me pajisjen e këtij shërbimi me aparaturat e nevojshme, duke ofruar për pacientët edhe këto shërbime të munguara, për të cilat atyre u duhej tu drejtoheshin kryeqytetit apo Janinës fqinjë përtej kufirit.
Çdo ditë pranë këtij shërbimi paraqiten 10 deri në 20 pacientë me diagnoza të ndryshme. Në tre muajt e fundit të vitit në spitalin rajonal “Omer Nishani”, janë realizuar 15 ndërhyrje kirurgjikale në spektrin ORL.
/rtsh/