Spektakël në “Selman Stërmasi”, Tirana dhe Elbasani ndajnë pikët në barazimin 2-2

TIRANË, 20 shtator/ATSH/ Tirana dhe Elbasani kanë ndarë nga një pikë në javën e pestë të Kategorisë Superiore, pas një ndeshjeje spektakolare të mbyllur në barazim 2-2 në stadiumin “Selman Stërmasi”.
Protagonisti kryesor i bardhebluve ishte Redon Xhixha, i cili realizoi të dy golat e Tiranës, ndërsa Elbasani gjeti dy herë rrugën e rrjetës për të marrë një pikë në transfertë.
Miqtë kaluan të parët në avantazh në minutën e 23-të. Nikaj depërtoi në zonë dhe pasoi në qendër, ndërsa Ndong, në përpjekje për të larguar topin, e devijoi atë në portën e tij.
Tirana reagoi vetëm shtatë minuta më vonë. Kish harkoi nga e djathta dhe Xhixha, i vetëm në zonë, goditi me kokë duke mposhtur portierin Aleksovski dhe barazuar rezultatin në 1-1.
Elbasani riktheu avantazhin në minutën e 37-të. Mazari shmangu pozicionin jashtë loje, kaloi edhe Bekajn dhe nga krahu i majtë dërgoi topin në rrjetë.
Pjesa e parë u mbyll me avantazhin 2-1 të Elbasanit.
Në pjesën e dytë Tirana u hodh në kërkim të barazimit dhe e gjeti në minutën e 54-t. Pas një aksioni në krahun e djathtë, Ilievski shërbeu për Xhixhën, i cili nuk gaboi përballë portës dhe shënoi golin e dytë personal për 2-2.
Pas barazimit, bardheblutë patën disa raste për të përmbysur rezultatin. Mundësia më e mirë erdhi në minutën e 78-të, kur Xhixha ishte pranë tripletës, por goditja e tij nga kufijtë e zonës u ndal nga shtylla.
Edhe Elbasani pati mundësi në minutat e fundit të takimit, por asnjëra skuadër nuk arriti të shënonte golin e fitores.
Ndeshja u zhvillua pa praninë e tifozëve, pasi Tirana nuk kishte shlyer në kohë me gjobë pjesën e mbetur të dënimit.
Në përfundim, Tirana dhe Elbasani ndanë nga një pikë, me rezultatin 2-2.
/gj.m/r.e/