Spikerja e lajmeve të Top -it Suela Demiri do prezantojë “Gjeniu i vogël”
Një prezantuese e re do të jetë këtë edicion të spektaklit muzikor “Gjeniu i vogël”, që pritet të fillojë së shpejti në “Tv Klan”. Vëllezërit Pandi dhe Bledi Laço, njëri skenaristi dhe tjetri regjisori i spektaklit muzikor për fëmijë, kanë zgjedhur për këtë edicion pikërisht Suelën si prezantuese, e cila prej vitesh punonte spikere e lajmeve dhe e leximit të shtypit të përditshëm çdo mëngjes në ekranin e “Top Channel”. Nuk dihet nëse spikerja ishte larguar më parë nga ky televizion, por thuhet se ajo është e preferuara e vëllezërve Laço, të cilët kësaj here ishin vënë në kërkim të një prezantueseje ndryshe. Dihet që në gjithë televizionet e botës moderatorët e spektakleve muzikore për fëmijë janë shumë popullorë dhe me eksperiencë të gjatë në prezantim. Ndaj producentët Laço ishin vënë kësaj here në kërkim të një prezantueseje simpatike, që të ishte dhe mami rreth të tridhjetave, që të ketë një eksperiencë personale me fëmijët. Mesa duket Suela, e cila ka një vajzë u është dukur ajo e duhura, edhe pse për të kjo është eksperienca e parë si një prezantuese në një skenë të madhe. “Gjeniu i vogël” është spektakël ku fëmijët konkurrojnë si këngëtarë dhe çdo edicion shpallet një fitues. Prezantuesja e parë e këtij spektakli ishte Alketa Vejsiu.