Këngëtaret zgjedhin Zvicrën për Vitin e Ri
Tre këngëtaret më të pëlqyera për momentin në Kosovë, Adelina, Zanfina dhe Dafina, vendosin të këndojnë në një vend. Diskoteka Rinora 4 këtë radhë bashkon Dafina Zeqirin me motrat Ismaili. Edhe pse ka akoma kohë deri në ndërrimin e motmoteve, kjo diskotekë tashmë ka bërë përgatitjet e para për këtë festë duke rezervuar këngëtarët të cilët do të përkujdesen për argëtimin e të pranishmëve. Natën e parë pritet të këndojë Adelina Ismaili, e cila pasi rrëmbeu çmimin e publikut në festivalin “Kënga Magjike” u nis drejt Ulqinit për të kënduar me rastin e festës së “Kurban Bajramit”, kurse për 28 Nëntor këngëtarja performoi në një nga diskotekat shqiptare në Ëien të Austrisë. Tani është kthyer përsëri në Kosovë për të qenë pjesë e organizimeve festive nëpër televizionet kosovare. Në anën tjetër këngëtarja Dafina Zeqiri po korr suksese të jashtëzakonshme pasi po bën një karrierë “solo”. Së fundi ka publikuar këngën me titull “Amazing girl” dhe kënga po pëlqehet shumë kurse në internet po klikohet me të madhe. Dafina ndihet e kënaqur me këtë projekt, ngase ka punuar shumë në të dhe thotë që videoklipi është punuar shumë mirë dhe e veçon nga të gjitha klipet paraprake. Kënga “Amazing Girl” është e zhanrit R&B. “Ndërsa tema e këngës është pak më ndryshe prej teksteve të tjera që i kam pasur deri më tani” - thekson ajo. Plani i Dafinës është realizimi i një videoklipi në Australi kurse për vitin e ardhshëm si surprizë për fansat do të editojë një album të ri. Por pronarët e Rinora 4 këtë radhë kanë menduar edhe për një surprizë të re. Edhe pse disa vite në këtë diskotekë kanë performuar këngëtarë të tjerë, këtë radhë ato kanë ndryshuar taktikën duke parë suksesin e tyre. Ishte përfolur që Genta Ismajli të këndojë natën e tretë të Vitit të Ri, por plani është ndryshuar në momentet e fundit për shkak siç thuhet të dështimit të disa koncerteve të saj në këtë disko dhe shitje të dobët të biletave. Këngëtarja tjetër e cila do performojë për të pranishmit atje do të jetë pikërisht Zanfina Ismaili, këngëtarja e cila nuk flet shumë, por është shumë e suksesshme kohës së fundit.
Ajo që vlen të thuhet është se Zanfina Ismaili, u mirëprit shumë mirë nga fansat dhe shitja e biletave ishte e jashtëzakonshme. Dhe, duke u bazuar në gjithë këtë, viti 2010 Zanfina Ismailin e gjen në vendin e dytë sa i përket renditjes se kush pëlqehet më së shumti nga fansat, pas motrës së saj Adelinës, kurse këtë vit si këngëtare shumë e pëlqyer në Kosovë vend të rëndësishëm ka zënë edhe këngëtarja Dafina Zeqiri.