E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spiro Ksera jashtë Parlamentit, Prifti jep dorëheqjen mes akuzave

LSI forca e dytë në Berat, PD humbet një mandat

E djathta ka humbur një mandat në qarkun e Beratit, ndërsa LSI është konfirmuar si forcë në rritje dhe dominuese, kurse PS nuk arrin të marrë dot mandatin që humbi në 2009 për pak vota. Kjo duket se ka qenë panorama e mbylljes së zgjedhjeve të 23 qershorit, pas numërimit të 301 kutive në shkallë qarku, në qarkun e Beratit ku vetëm njëra u dërgua në KQZ pasi ishte pa vulë. Nga tetë mandate që ka qarku i Beratit, Partia Socialiste ka fituar 4 mandate, Partia Lëvizja Socialiste për Integrim me 2 mandate deputetësh dhe Partia Demokratike me 2 mandate. Bie në sy fakti se LSI ka kaluar si forcë e dytë me mbi 24 për qind dhe PD ka rënë në 20 për qind. Socialistët kanë arritur të marrin pak më shumë se votat e 2009. Në total ASHE ka marrë 67627 vota në total, kurse AMPI vetëm 23030 vota. E majta ka siguruar mbi 74 për qind të votave dhe e djathta në minimumin historik të saj në këtë qark. Kutia pa vulë nuk ndikon fare në rezultat sipas informacioneve nga KZAZ-të e qytetit. Gjithsej Berati pati 86173 votues që morën pjesë, ku mbi 1300 vota ishin të pavlefshme në 302 qendra votimi të ndara në Berat qytet dhe fshat, Skrapar, Poliçan, Kuçovë dhe Ura Vajgurore, përfshi dhe komunat. Surpriza e këtij qarku ishte humbja e një mandati nga Partia Demokratike, e cila në 2009 arriti rezultat historik në Berat. Lefter Maliqi nuk do të jetë më deputet i qarkut për katër vitet e ardhshme. Por për herë të parë në Kuvend do të hyjë biznesmeni Astrit Veliaj. Nga Partia Socialiste hyn për herë të parë në Parlament vetëm Artan Lame, ish-nënkryetar i Bashkisë së Tiranës. Kurse tre të tjerët janë të njohur në legjislaturën e shkuar, Fidel Ylli, Ermonela Felaj dhe Eduart Shalsi. E pritshme ishte rritja e LSI-së në këtë qark, pasi Berati njihet edhe si bastion. Ndërsa në 2009 morën një mandat, këtë legjislaturë, përveç Nasip Naços hyn në parlament edhe Gledion Rehovica, i dyti në listën e LSI. Por bie në sy fakti se kjo parti ka dyfishuar rezultatin e saj në mandate, përqindje dhe vota. Mbi 5 mijë vota janë fituar vetëm në qytetin e Beratit. Kurse PS është forca fituese e zgjedhjeve në këtë qark me rreth 47 për qind të votave në shkallë qarku, ose rreth 42 mijë vota. Partia Demokratike ka rënë në minimumin e saj historik, me rreth 19 mijë vota, ose pak më shumë se 21 për qind. Në Koalicionin e djathtë kanë arritur të marrin vota republikanët me rreth 2 mijë vota dhe PDIU me 800 vota. Ndërsa FRD me 0,6 për qind, ose rreth 600vota dhe AK me 0,3 për qind, ose rreth 300 vota. Procesi i zgjedhjeve, votimit dhe administrimit ka shkuar pa probleme serioze, ndërkohë që numërimi ka zgjatur më shumë se 48 orë dhe u mbyll mbrëmjen e djeshme.

Qarku Berat

PS- Fidel Ylli, Ermonela Felaj, Eduard Shalsi, Eduart Bejko
LSI- Nasip Naço, Selfo Kapllani
PD-Genc Pollo, Astrit Veliaj

Përfundon numërimi në Berat e Gjirokastër
Një fitore e bindshme e koalicionit të majtë, është shënuar ditën e djeshme në qytetet Berat dhe Gjirokastër për zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit. Sipas të dhënave zyrtare numërimi i votave ka përfunduar rreth mesditës në qarkun e Gjirokastrës në rrethet Tepelenë dhe Përmet ku Partia Socialiste ka fituar 4 deputetë, ku një prej tyre është i forcës politike LSI. Ndërsa Partia Demokratike ka fituar në këtë qark vetëm një deputet dhe ai është Genc Ruli. Për tu theksuar në qarkun e Gjirokastrës është fakti se do të rikthehet sërish në parlament Anastas Angjeli, dhe për herë të parë do të jetë deputet Erjon Veliaj. Por surpriza e vërtetë e këtij qarku është se do të mbetet jashtë parlamentit Spiro Ksera të cilin qytetarët e Gjirokastrës nuk e kanë votuar si deputet. Një tjetër deputet i PS i konfirmuar për parlamentin e ardhshëm, do të jetë edhe Arben Ahmetaj, ndërsa nga PD i vetmi deputet që do të jetë pjesë e parlamentit është Genc Ruli dhe LSI-në do ta përfaqësojë në parlament Vangjel Tavo.
Qarku Berat dhe Fier.
Sipas të dhënave ka përfunduar procesi i numërimit të votave edhe në Bashkinë e Beratit, ku në KZAZ nr 65, janë numëruar 302 kuti, ku njëra është quajtur e pavlefshme për shkak të mungesës së vulës. Ndërsa përsa i përket të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i zgjedhjeve për Qarkun Fier, deri në orët e pasdites së ditës së djeshme ku janë numëruar rreth 494 kuti nga 596 në total. Në këtë qark numërimi duket se nuk ka përfunduar ende dhe sipas tabelave përkatëse, 40437 vota i ka fituar në këtë qark Partia Socialiste dhe koalicioni i saj, ndërsa 19.800 vota i ka fituar Partia Demokratike, ku përqindja e votuesve për të dyja forcat politike më të mëdha në vend për këto zgjedhje ka qenë 68.45 për qind e votuesve kanë votuar për PS dhe 30.57 për qind kanë votuar për PD.

Qarku Gjirokastër:

PS- Arben Ahmetaj, Erion Veliaj, Anastas Angjeli
LSI- Vangjel Tavo
PD- Genc Ruli

Qarku Fier

PS-Gramoz Ruçi, Erjon Braçe, Eglantina Gjermeni, Ilirjan Celibashi, Armando Subashi, Arben Çuko, Pirro Lutaj, Majlinda Bufi, Ervin Koçi
LSI-Petrit Vasili, Robert Bitri
PD- Sokol Olldashi, Mesila Doda, Kozma Dashi, Shpëtim Idrizi
PDIU- Omer Mamo

Dritan-Prifti-300x177Prifti: LSI-PS më vodhën 10 mijë vota, do kërkoj rinumërim
Duke hedhur poshtë të gjitha pretendimet e një ditë më parë se kandidati i pavarur Dritan Prifti pretendonte të ishte pjesë e parlamentit të ri, të gjitha pritshmëritë e tij duket se janë rrëzuar nga votat e numëruara gjatë ditës së djeshme. Prifti mesa duket e ka ndjerë humbjen ndaj gjatë një deklaratë për media, ka dhënë dorëheqjen nga gara dhe ka deklaruar se nga Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim i kanë vjedhur votat. “PS dhe LSI kanë vjedhur votat e mia, ndërsa Partia Demokratike partive të tjera më të vogla të djathta. Vëzhguesit e mi nuk janë lejuar të futen të shohin procesin, ndërsa vetëm në një rast në Baltëz, gjysma e votave për mua të dala vetëm prej një kutie nuk janë llogaritur”, tha Prifti. Dritan Prifti deklaroi se do të kërkojë rinumërim të të gjithë votave të qarkut të Fierit, për të parë, sipas tij, realisht votat e marra.

Naço: LSI lokomotiva e të majtës, dyfishuam rezultatin
Nasip Naço, kryesuesi i listës së Lëvizjes Socialiste për Integrim në qarkun e Beratit, u shfaq tepër optimist mesditën e djeshme për rezultatet e arritura, kur duheshin ende edhe 40 kuti për tu numëruar. Ai deklaroi se LSI kishte fituar 2 mandate deputetësh, ndërsa komentoi edhe shifrat e arritura, duke thënë se kanë dalë forca e dytë në qark, duke lënë PD-në të tretën. LSI është forca lokomotivë e të majtës. Këto zgjedhje treguan se në këtë qark partia jonë është dominuese dhe fituesja vërtetë e zgjedhjeve. Kemi dyfishuar rezultatin dhe numrin e mandateve të deputetëve, tha Naço. I pyetur për deklaratën në fushatë se kryeministër do të jetë Ilir Meta, deputeti Naço tha se ishte bërë në momentin e duhur, vendin e duhur dhe kontekstin e duhur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›