Spiropali: Bullgaria e mbështet fort integrimin tonë europian. Kiselova: Shqipëria, kampione në përpjekjet për anëtarësim të plotë

Kryetarja e Parlamentit Elisa Spiropali ka zhvilluar një takim me homologen bullgare Nataliya Kiselova me të cilën më pas ka mbajtur dhe një konferencë të përbashkët.
Në fjalën e saj para medieve, Spiropali vlerësoi mbështetjen e Bullgarisë në procesin e integrimit europian të vendit tonë, ndërsa shprehur bindjen se kjo mbështetje do të vijojë edhe për planin ambizioz të qeverisë për përfundimin e negociatave brenda vitit 2027 dhe anëtarësimin në Bashkimin Europian brenda vitit 2030.
“Vlerësojmë mbështetjen e fortë të Bullgarisë për integrimin europian të Shqipërisë dhe kemi bindjen se kjo mbështetje do vijojë edhe për planin tonë ambicioz për përfundimin e negociatave brenda 2027-ës dhe anëtarësimi në BE brenda kësaj dekade.
Kemi besim në mbështetjen e Bullgarisë si vend anëtarë dhe në mbledhjet e Këshillit të BE-së.
Shqipëria ka bërë thirrje për një proces të përshpejtuar të anëtarësimit në familjen europiane që është i rëndësishëm jo vetëm për Ballkanin Perëndimor por edhe vetë BE”, deklaroi Spiropali.
Kjo e fundit u shpreh se marrëdhëniet politike mes Shqipërisë e Bullgarisë janë të forta e të qëndrueshme.
“Marrëdhëniet politike Shqipëri-Bullgari janë të forta e të qëndrueshme e pa çështje të pazgjidhura mes nesh. Shpreha gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin tonë dypalësh mes shkëmbimit të vizitave politike të nivelit të lartë.
Ne mendojmë se mosmarrëveshjet dypalëshe duhen zgjidhur duke u mbështetur në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”, përfundoi Spiropali.
Në fjalën e saj, kryetarja e Parlamentit të Bullgarisë, Nataliya Kiselova theksoi se Shqipëria është kampione në përpjekjet për integrim të plotë në Bashkimin Evropian krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit.
Teksa garantoi mbështetjen e Bullgarisë në këtë proces, Kiselova u shpreh se integrimi i plotë i Shqipërisë është faktor stabiliteti për Ballkanin Perëndimor.
“Përgëzoj Shqipërinë për arritjet serioze që ka në procesin e anëtarësimit në BE. Ju jeni kampionë në përpjekjet për integrim të plotë në BE krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit.
Integrimi i plotë i Shqipërisë është faktor stabiliteti për Ballkanin Perëndimor.
Kuvendi bullgar do bëjë të gjitha përpjekjet për të ndihmuar në rast nevojë në punën tuaj intensive në vitet e ardhshme që të festojmë së bashku kur të jemi pjesë e BE të gjithë”, tha ajo, ndërsa theksoi se dialogu politik mes dy vendeve mbetet i një niveli të shkëlqyer.
/rtsh.al/