Spiropali: Opozita të lërë pas politikën e vjetër dhe të votojë projektrezolutën antikorrupsion

TIRANË, 27 maj/ATSH-Maela Marini/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ftoi sot deputetët e opozitës të lënë pas politikën e vjetër dhe të votojnë projektrezolutën antikorrupsion të propozuar nga Partia Socialiste.
Gjatë fjalës në seancë plenare, Spiropali i bëri thirrje opozitës për reflektim, ndërsa shprehu bindjen se gjithmonë ka kohë për këtë.
“Ju jeni në të drejtën tuaj të bëni edhe veprime të gabuara, por shumë modestisht po ju ftoj të bëni të kundërtën. Në rrugën e mundimshme të reformimit tërësor dhe modernizimit të shtetit shqiptar për anëtarësim në BE brenda vitit 2030, ka hapësirë për të gjithë aktorët dhe faktorët në vend. Suksesi politik do të ishte i të gjithëve, dështimi vetëm i yni”, u shpreh ajo.
Spiropali theksoi se kur opozita ka ndjekur tamtamet e sherreve në vend të debatit serioz, ka gabuar dhe ka paguar çmim të lartë politik për veten, por edhe një kosto jo të vogël për gjithë shoqërinë shqiptare.
“Ju gabuat kur dogjët mandatet apo bojkotuat një palë zgjedhje politike dhe sot ia vini fajin njëri-tjetrit. Ju gabuat rëndë kur u vetëpërjashtuat nga reforma territoriale apo reforma në drejtësi. Në harkun e pak viteve këto duhet të kishin vlerën e mësimit për ju të gjithë”, tha ajo.
Spiropali nënvizoi se “rezoluta për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në BE, nuk është ndryshim kursi i vendit, as një orientim i ri në drejtimin tjetër të korpusit të reformat paralele që janë ndërmarrë”.
“Është dhe një premtim e bindje politike për çuarjen në një nivel tjetër të përpjekjeve për mirëqeverisje dhe antikorrupsion e sundim të ligjit. Për bërë të pakthyeshëm fatin europian të Shqipërisë dhe për ta ngritur flamurin e Shqipërisë në BE brenda vitit 2030”, tha ajo.
Sipas Spiropalit, “korrupsioni është një vrasës i shumëfishtë që denatyron standardet normale të shoqërisë”.
“Shpresa tek SPAK nuk mjafton. Këtu nis e ndërlikohet biseda e debati me ju. Tek ne nuk ka asnjë dilemë, asnjë dorë a këmbë që del nga rreshti i filozofisë tonë, që drejtësinë e bën një pushtet tjetër, të cilin e mbështesim pa kushtëzim. Ne nuk ndërhymë dhe nuk pengojmë. Ju i trokisni në derë SPAK, i lini pirgje me dosje tek dera dhe e shpallni organizatë kriminale sa herë që hetohet ati juaj i penxheres”, u shpreh ajo.
/r.e/