E Enjte, 5 Nëntor 2026

Spiropali: Presidenti kreu vepër penale, thirrje publike për veprime të dhunshme

 Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi sot se Presidenti ka ndërmarrë sulme publike të paskrupullta kundër ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në fjalën e saj në Kuvend  Spiropali tha se “shqiptarë kudo ku ndodheni, Presidenti nuk bëri nja dy a tre ofendime, tre a katër rrëshqitje, pesë a gjashtë lajthitje. Presidenti as nuk “hëngri dhe bëri thërrime”, apo “punoi dhe bëri gabime”. Po të ishte fjala për lapsuse përditshmërie nga ato që bën çdo njeri që punon, askush s’do ia vinte re, dhe as do ishim mbledhur këtu. Problemi është se Presidenti nuk la gabim pa bërë. Si i tillë, rasti i presidentit tonë nuk është një rast i rëndomtë, rast i zakonshëm apo i pazakonshëm, i vetëm apo i përsëritur. Problemi i Presidentit është problem i rëndë, ndoshta problem klinik, problem me pasoja, problem që nuk mund të ndreqet me kritika dhe autokritika, por vetëm me masa ligjore. Për të marrë ndaj Presidentit masa ligjore për ta penguar në paligjshmëritë e tij të panumërta, kemi arsye të mjaftueshme dhe të teprueshme”.

Ajo tha se “faktet dhe provat për veprimet e paarsyeshme, sjelljet e tij të vrazhda, gjestet e tij të papranueshme, gabimet e tij me pasoja, na i ka dhënë vetë Presidenti. Nuk kanë të numëruar bëmat, gjëmat, shkeljet, gabimet, britmat, klithmat, ulërimat, e Presidentit tonë: Duke pretenduar supremaci cerebrale, brenda një gjendjeje të vazhdueshme megalomano-deliranto-halucinante, përmes gënjeshtrave trashanike dhe manipulimeve vulgare, Presidenti u ka fyer dhe nënvlerësuar shqiptarëve inteligjencën natyrale. Presidenti është autor i mesazheve publike krejtësisht të çekuilibruara që frymëzuan publikisht daljen në rrugë e në sheshe të militantëve, shpërthimin e konflikteve, deri dhe humbjen e jetës së një personi dhe plagosjen e disa të tjerëve, si dhe rrezikimin e jetëve të forcave policore. Vepra penale “thirrje publike për veprime të dhunshme” bën pjesë në grupin e veprave penale kundër rendit kushtetues, mund dhe duhet të hetohet kryesisht. Mesazhe denigruese ndaj diplomatëve të huaj si njerëz të shitur apo të blerë, duke na turpëruar kombëtarisht brenda dhe jashtë, sidomos duke na rrezikuar marrëdhëniet me partnerët, është tjetër veprim i shëmtuar me pasoja të rënda i Presidentit. Deliri i papërmbajtur i Presidentit ka arritur deri aty sa të detyrojë ambasadoren e Shteteve të Bashkuara t’i drejtohet hapur personalisht për t’i këshilluar përmbajtje, vetëkontroll”.

Spiropali theksoi se “Presidenti ka kryer hapur propagandë politike duke përdhosur në këtë mënyrë Kushtetutën. Duke u vetshpallur përfaqësues i një pjese të popullit përmes një numri qëndrimesh, veprimesh, mosveprimesh, retorikash të çartuna, para, dhe gjatë fushatës, madje edhe në ditën e heshtjes zgjedhore,  Presidenti ka dëmtuar pozicionin dhe autoritetin kushtetues të Kryetarit të Shtetit, ka shkelur simbolikën e përfaqësimit të unitetit kombëtar që mban funksioni i tij. Presidenti i Republikës ka dhunuar parimin e asnjanësisë në ushtrimin e funksioneve, për pasojë ka shkelur paragrafin 1 të nenit 86 të Kushtetutës, në mënyrë të përsëritur përgjatë gjithë fushatës zgjedhore”.

“Ky fakt e bëri misionin vëzhgues të OSBE/ODIHR-it që për herë të parë në histori të bënte konstatim të posaçëm për Presidentin në deklaratën për gjetjet dhe përfundimet paraprake, si më poshtë: Presidenti Meta, ish-kryetari i LSI-së, mban një marrëdhënie të tensionuar publike me Kryeministrin Edi Rama në ushtrimin e rolit të tij kushtetueshmërisht jo politik. Ai shpesh ndërmori nisma dhe kritikoi publikisht qeverinë në mënyrën më të ashpër, duke ndikuar drejtpërdrejt mbi zgjedhjet”. Duke kthyer një numër të konsiderueshëm të akteve ligjore të miratuara nga Kuvendi, duke refuzuar një numër propozimesh të kreut të ekzekutivit, duke refuzuar të emërojë anëtarë të sistemit gjyqësor, duke mos-miratuar marrëveshje financiare, duke mos emëruar ambasadorë apo funksionarë shtetërorë, ushtarakë, apo civilë, Presidenti, me koshiencë të plotë, ka dëmtuar rëndë marrëdhëniet normale institucionale Parlament-Presidencë-Qeveri. Me sjelljen e tij të çekuilibruar, vrazhdësinë ekstreme të komunikimit, gjuhën e padenjë, ndërhyrjet në çështje që aspak nuk i përkasin, Presidenti ka shkelur një numër herësh të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Veçanërisht, në mënyrë të përsëritur dhe skandaloze, Presidenti ka denigruar qeverinë, shumicën dhe opozitën parlamentare, Partinë Socialiste dhe kandidatët e saj për deputetë në garë. Duke përhapur akuza të rreme për ndërhyrje në punët e brendshme, për njëanshmëri dhe përfaqësim të interesave antishqiptare të vendeve të tjera, paturpësisht dhe në mënyrë të përsëritur, Presidenti ka cilësuar autoritetet përfaqësuese të SHBA-së se kanë kryer veprimtari armiqësore ndaj tij personalisht dhe vendit në përgjithësi. Për turp të tij dhe të një grushti që e ndjekin, Presidenti ka ndërmarrë sulme publike të paskrupullta kundër ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, çka është në kundërshtim flagrant me mirësjelljen ndaj autoritetit diplomatik më të lartë të një vendi mik dhe parter, njëkohësisht dhe turp e lëndim i pashembullt i normave elementare kanunore mbi “Mikun” dhe “Besën” legjendare, çka i pretendon me bujë.

Ne vijim, Spiropali shtoi se “Presidenti ka mbajtur qëndrime publike ofensive gjithashtu edhe kundër përfaqësuesve të tjerë të huaj që punojnë në Shqipëri, diplomatë etj. duke i akuzuar si të korruptuar, ose duke u kërkuar hesap si duhet të veprojnë në rrethana të caktuara, që edhe kjo është një turp e faqe zezë për çdo shqiptar, e jo më për një President. Presidenti ka përdorur vetë, dhe u ka sugjeruar të tjerëve, retorikën e dhunës për zgjidhjen e konflikteve, dhe jo mjetet normale në shtetin e së drejtës.Gjuha e çakërdisur e dhunës dhe kulisat e përdorura nga Presidenti në prag dhe gjatë fushatës së fundit elektorale, u bënë mënyrë veprimi, u bënë manifest, i grupeve ilegale paramilitare të ngritura nga opozita në shkeljen më flagrante të ligjit qysh nga shembja e diktaturës deri sot.Presidenti, me koshiencë të plotë, humbi funksionin e të qenit faktor ekuilibri në jetën e vendit”.

“Presidenti ynë kupën nuk e ka mbushur. Presidenti ynë kupën e ka derdhur. Në Shqipëri dhe në botë, me këtë apo atë mënyrë, me të mirë a me të keq, me ceremoni apo duke i hequr zvarrë, shqiptarët kanë hequr qafe duke i larguar, pashallarë, ministra, kryeministra, diktatorë.Ne sot këtu nuk jemi mbledhur që Presidentin ta shajmë, as ta dënojmë, as ta zvarrisim, as ta pushkatojmë. Ne këtu sot jemi mbledhur që Presidentin thjesht ta largojmë. Aq e ka tepruar Presidenti zullumqar, sa sikur në këtë sallë të ishte i gjithë populli shqiptar, s’do kishte mbetur kush pa i dhënë Ilir Metës leksionin e merituar, me votë: Heqjen nga ajo detyrë e nderuar që e shpërdoroi me papërgjegjshmëri të skajshme. Zbritjen nga karrigia e lartë që e përdhosi me ndërgjegje të plotë. Mos u takofshim më kurrë në raste si ky i sotmi”, tha në fund Spiropali.ATSH

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›