E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Spiropali: Shqipëria, me ritmin më të shpejtë në rajon për urbanizimin

TIRANË, 5 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali u shpreh sot gjatë Samitit të Paktit të Qyteteve të Lira, se Kuvendi ka mbështetur urbanizimin e qytetit duke përshtatur një legjislacion bashkëkohor.

Të pranishëm në këtë samit ishin kryebashkiakë të rëndësishëm nga e gjithë bota, të cilët diskutuan për sigurinë e qyteteve në kohë krizash, migracionin, qëndrueshmërinë urbane, etj.

“Qytetet janë e po bëhen njëkohësisht sfidantët e parë, inkubatorët e rritjes ekonomike e sociale, përballuesit e sfidave të zhvillimit dhe terreni që favorizon e mbështet platformat e bashkëpunimit. Qyteti është një instrument i dorës së parë në të cilin takohen e kryqëzohen kulturat, lulëzojnë idetë dhe konsolidohet qëndrueshmëria e zhvillimit. Qytetet janë kontribuesit më aktivë në formësimin e shoqërive demokratike, duke ushqyer vlerat, mbështetur institucionet, përshtatur, madje edhe krijuar, praktikat demokratike, sipas nevojave të komuniteteve urbane, të cilat janë, pa dyshim, më të avancuarit e shoqërive tona,” u shpreh Spiropali.

Sipas saj, “qytetet veprojnë si mbështetës të zhvillimeve demokratike jo përmes urdhrave a dekreteve, por përmes vetëveprimit të tyre, investimeve në ekonomi, infrastrukturë”.

“Demokracia urbane është një nga thelbet e demokracisë bashkëkohore. Qytetet rindërtojnë demokracinë, sipas vizionit, jetës e nevojave të qytetarëve të tyre. Të cilët duhet të masin me minuta sesa shpejt shkojnë në një nga qendrat e qytetit policentrik, sa kohë ju duhet për të dërguar fëmijët në shkollë, për të vajtur në vendin e punës apo për të marrë shërbime të ndryshme e për të garantuar argëtim,” tha Spiropali.

Kryetarja e Kuvendit theksoi se urbanizimi ka ndihmuar dhe vijon të kontribuojë në përshpejtimin e zhvillimit ekonomik, rritjen e produktivitetit, rritjen e mirëqenies, uljen e varfërisë dhe, nëpërmjet sfidave që paraqet, edhe në përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve publike.

Spiropali theksoi se “Shqipëria ka pasur ritmet më të larta e më të shpejta në rajon për sa i përket procesit të urbanizimit”.

“Ne jemi përpjekur që sfidave t’u përgjigjemi, në disa raste edhe t’u paraprijmë, me politika adekuate. Besoj se nuk e teproj nëse pohoj, se mes vendeve të rajonit, madje mes vendeve të Europës Lindore, të cilat tre dekada e gjysmë më parë hynë në rrugën e transformimeve demokratike, Shqipëria ka pasur ritmet më të larta e më të shpejta të procesit të urbanizimit. Nëse dy dekada më parë u rijetësua me ngjyra grija e zymtë e trashëguar nga komunizmi dhe nisi rilindja e kryeqytetit, sot një pjesë e qyteteve shqiptare po marrin tiparet karakteristike sipas këtij nocioni,” shtoi ajo.

Duke u ndalur te hartimi i legjislacionit nga Kuvendi, Spiropali theksoi se “miratimi i ligjeve mbi planifikimin dhe zhvillimin e territorit, qeverisjen vendore, nxitjen e investimeve, turizmin, zhvillimin e qëndrueshëm, ruajtjen e mjedisit, zonat e mbrojtura, përmirësimin e infrastrukturës, zgjerimin dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve publike, mbështetjen për hyrjen në tregje etj., janë pjesë e këtij kontributi”.

“Zhvillimit të harmonizuar urbano-rural, kohezionit territorial, ngushtimit të dallimeve mes zonave urbane e rurale dhe rritjes së qasjes të këtyre të fundit në burimet e zhvillimit, u shërbejnë edhe reformat administrativo-territoriale të kryera gjatë dhjetë vjetëve të fundit,” u shpreh Spiropali.

/m.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›