Berisha paraqet programin për bujqësinë: Trefishojmë buxhetin, heqim taksën ndëshkuese në sektorin e përpunimit

TIRANË, 5 shkurt /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha së bashku me ekspertë të opozitës dhe mbështetjen e Fondacionit të CDU gjermane “Konrad Adeanuer”, shpalosi sot programin e qeverisjes 2025-2029 për sektorin e Bujqësisë.
Në fjalën e tij Berisha u shpreh se, për Shqipërinë bujqësia, blegtoria dhe përpunimi i prodhimeve të bujqësisë dhe blegtorisë është i një rëndësie themelore në shumë aspekte.
Berisha tha se, “ky sektor është si i tillë kontributori kryesor në prodhimin e brendshëm të vendit. Ky sektor, i cili jep rreth 20% të prodhimit të brendshëm të vendit, sipas një studimi të Bankës Botërore ka marrë gjithsej 0.19% të prodhimit të brendshëm të vendit, të GDP-së, pra nuk ka marrë asnjë 1/100 e asaj që jep. Dhe ky disporpocion i financimit të këtij sektori dëshmon qartë injorimin e plotë nga qeveria aktuale”.
“U injorua në mënyrë totale toka, e cila është një pasuri themelore e çdo vendi. Masat për mbrojtjen e tokës janë inekzistente”, shtoi Berisha.
“E vërteta është se, për herë të parë në dekada, vitin e kaluar prodhimi bujqësor ra në mënyrë të ndjeshme. Kurse, prodhimi në tërësi dhe ai industrial ka 3 vite që bie çdo vit e më poshtë. Ka 3 vite që Shqipëria rrudhet si një vend prodhues, dhe mbetet vend shërbimesh dhe vend i ndërtimit ku, monumentet e drogës dhe korrupsionit zënë hapësirat dhe frymëmarrjen e qytetarëve shqiptarë në qytetet e mëdha të vendit”, tha kreu i PD.
Duke prezantuar programin e bujqësisë, Berisha tha se, fermerit do t’i vendoset pensioni dhe çdo i moshuar në fshat do trajtohet me minimum jetik.
“Ne marrim përsipër një qëndrim transformues për bujqësinë tonë. Dhe kur them transformues, kam parasysh në radhë të parë fermerin. Fermerit do t’i vendoset pensioni, çdo i moshuar në fshat do trajtohet me minimum jetik, nuk do të ketë më pensionist apo shqiptar në moshë pensioni që do të marrë më pak se 200 euro”, tha Berisha.
Kreu i PD nënvizoi se, buxheti për bujqësinë dhe blegtorinë do të trefishohet dhe do të arrijë në dy vitet e para mesataren e buxhetit të vendeve të rajonit.
“Do të subvencionohet çdo bimë, çdo kokë bagëti dhe çdo prodhim. Taksa ndëshkuese për prodhimet bujqësore në sektorin e përpunimit do të hiqen, do barazohen. Sot ka taksë vetëm në shitje në mënyrë absurde. Ballkani i Hapur do hidhet në kosh. Ballkani i hapur shkatërroi një nga faktorët kryesorë, konkurrencën e ndershme në Ballkan”, tha Berisha.
Berisha shtoi se, “nuk ka asnjë kujdes për tokën, si e tillë, toka bujqësore nuk do mundet absolutisht, përveçse në kushtet shumë rigoroze të ligjit të preket dhe të cenohet. Ne jemi vendi me sasinë më minimale të tokës në Europë për frymë”.
“Shqipëria është vend plot ujëra. Do bëjmë gjithçka për shumëfishimin e sipërfaqeve të vaditura, por njëkohësisht për mbrojtjen, kullimin, vaditja dhe kullimi, vaditja dhe mbrojtja nga ujërat e larta, do jetë një drejtim themelor i yni”, tha Berisha.
“Ne do bëjmë gjithçka që të shumëfishojmë drurët frutorë në të gjithë territorin e vendit nga jugu në veri. Natyrisht, këtu kam parasysh dhe vreshtat, por ulliri dhe arrorët do të jenë dominues, dhe drurët frutorë tradicionalë të krahinës”, theksoi Berisha.
Ai shtoi se, “është i drejtë qëndrimi ynë në këto dy lloje, ndaj ullirit dhe arrorëve. Këto kanë treg, janë treg i garantuar në tërësinë e tyre dhe ndonëse potenciali i ullirit mund të shkojë gjer në 50 milionë rrënjë, i arrorëve mund të shkojë dyfishi i tyre, dhe ne nuk tërhiqemi nga këto projekte. Do bëjmë gjithçka të transformojmë Shqipërinë me këto projekte”.
Ai vuri theksin tek arsimimi i fermerëve, duke u shprehur se është e domosdoshme t’i kushtohet rëndësi e veçantë sigurimit të ekspertëve të aftë të bujqësisë dhe blegtorisë në të gjithë territorin e vendit.
“Ne do bëjmë gjithçka dhe kemi besim të madh se do ta shndërrojmë fshatin në një vend ku fermerët e rinj të mbështetur fuqimisht në kredi të buta, me grante për start up-et në këtë fushë të ripopullojmë dhe njëherë fshatin shqiptar”, tha Berisha. /j.p/