E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Spiropali: Shqipëria, vendi që po ecën më shpejt me negociatat drejt BE

TIRANË, 26 mars /ATSH/ Kryeparlamentarja Elisa Spiropali ka mbajtur fjalën e saj sot, në Forumin Parlamenti për Qytetarët, “Forcimi i Demokracisë Pjesëmarrëse dhe Përgjegjshmërisë Parlamentare”. Në aktivitet ishin të pranishëm dhe përshëndetën Drejtori Ekzekutiv i IDM, Sotiraq Hroni, Ambasadori Britanik në Shqipëri, Nicholas Abbott, Drejtoresha e Inovacionit dhe Praktikave, Involve UK, Stephanie Draper etj.

Gjatë fjalës së saj, Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, u shpreh se Kuvendi po fuqizon ndërveprimin me organizatat e shoqërisë civile dhe grupet e interesit për të siguruar një dialog të dobishëm, të hapur e konstruktiv, si reflektim edhe ndaj vlerësimeve të raporteve të Bashkimit Europian për të rritur transparencën dhe efektivitetin në proceset e konsultimeve publike dhe të bashkëpunimit të Kuvendit me qytetarët.

“Në bashkëpunim me Kuvendin dhe me mbështetjen e Involve UK, ju keni pilotuar me sukses Panelet Qytetare, mbi dy çështje të propozuara nga Komisionet Parlamentare: zhvillimi i turizmit rural dhe malor si dhe çështjet e aftësisë së kufizuar. Gjatë kësaj faze ju edhe ne kemi konstatuar se qytetarët janë të gatshëm dhe kanë potencialet  të kontribuojnë në mënyrë produktive në ligjbërje, nëse ne arrijmë të ndërtojmë një proces deliberativ.

Dhe kjo u dëshmua se ishte e mundur. Rekomandimet e Paneleve Qytetare mbi turizmin rural dhe malor u inkorporuan në “Paketën e Maleve”, një ligj i cili do të shërbejë si shtytje e zhvillimit të zonave e fshatrave malorë.

“Udhëzuesi mbi Mekanizmat e Konsultimit Publik Deliberativ për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë”, hartuar gjatë këtij procesi dhe si produkt i këtij bashkëpunimi, do të shërbejë si një udhëzues praktik për Kuvendin, qytetarët dhe grupet e interesit, duke forcuar ndërveprimin tonë në procesin legjislativ”, tha Spiropali.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, nënvizoi më tej se gjatë legjislaturës së ardhme do të shohim mundësinë të ndërtojmë një mekanizëm monitorimi për të ndjekur zbatimin e rekomandimeve të Paneleve Qytetare nga qeveria dhe institucionet përkatëse, duke përfshirë përveç veprimtarisë ligjbërëse edhe kontrollin parlamentar dhe zbatimin e politikave e programeve në shërbim të qytetarëve.

“Inkorporimi në Kuvendin e Shqipërisë i praktikave e modeleve të suksesshme të Bundestagut Gjerman dhe Parlamentit Skocez do të shndërrohen në një vlerë të shtuar të këtij procesi”, u shpreh Spiropali.

Drejtori Ekzekutiv i IDM, Sotiraq Hroni, gjatë punimeve të Forumit u shpreh se duhet të angazhohemi në mënyrë të vazhdueshme për të nxitur demokracinë pjesëmarrëse. “Kuvendi i Shqipërisë duhet të jetë shembull në konsultimin publik. Kuvendi i Shqipërisë po pasuron një sërë mekanizmash sa i përket konsultimit publik në tërësinë e saj. Duhet të fuqizohet mekanizmi parlamentar për konsultimin publik”, tha Hroni.

Ambasadori Britanik në Shqipëri, Nicholas Abbott, u shpreh se mbështet Kuvendin e Shqipërisë për nismat që ka ndërmarrë ndërsa theksoi se demokracia dhe transparenca parlamentare janë shtylla thelbësore për forcimin e institucioneve demokratike në Shqipëri.

Drejtoresha e Inovacionit dhe Praktikave, Involve UK, Stephanie Draper, foli për mjetet inovative të pjesëmarrjes për angazhimin parlamentar dhe proceset e demokracisë deliberative, roli i publikut në vendimmarrje si dhe tregoi shembuj të praktikave të suksesshme të demokracisë pjesëmarrëse dhe ndikimin e tyre.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›