Spiropali: Zgjedhjet e 11 majit më të rëndësishmet, përmbysim njëherë e mirë tranzicionin

TIRANË, 21 mars/ATSH/ Drejtuesja politike e Qarkut të Tiranës për Partinë Socialiste dhe njëheraz kryetare e Kuvendit prezantoi pasditen e sotme kandidatët e kësaj partie për zgjedhjet e 11 majit në qarkun e Tiranës.
Në takimin e mbajtur në Parkun Olimpik, Spiropali u shpreh se nga Partia Socialiste, qeveria e saj, vendosmëria e Edi Ramës, sot Shqipëria ka shans real për t’i mbyllur negociatat me BE brenda dy viteve dhe shans anëtarësimi brenda dekadës.
“Këto nuk janë zgjedhje të çfarëdoshme, këto janë zgjedhjet më të rëndësishme të Shqipërisë, ndoshta po aq të rëndësishme sa zgjedhjet ‘91-‘92 kur u përmbys sistemi, sepse njëherë e mirë do të përmbyset tranzicioni, për të rinjtë , për fëmijët, për fermerët, akademikët për njerëzit që duan një pasaportë dinjitoze”, u shpreh ajo.
Spiropali u ndal edhe tek pasaporta europiane për shqiptarët pas anëtarësimit.
“Një pasaportë që nuk i lë ata pas, siç rrinim ne me kokën pas kur udhëtonim dhe ulnim kokën në çdo stend të policëve apo të doganiereve evropianë sepse na shikonin me dyshim dhe komplimenti më i madh ishte, nuk dukesh shqiptare. Sikur të ishe shqiptar apo shqiptare ishte turp. Shiheshe me dyshim. Sot Shqipëria qëndron e barabartë në të gjitha forumet ndërkombëtare me Edi Ramën kapitenin e kësaj skuadre i cili nuk ndalet dhe nuk do të ndalet. Sot voton diaspora shqiptare dhe ata që janë jasntë janë këtu me mendje dhe zemër”, tha Spiropali.
Kryetarja e Kuvendit u ndal edhe tek primaret e Partisë Demokratike, që siç tha ajo, la jashtë listës më të votuarin Hysen Kadiun, i cili ka qenë edhe drejtues i PD-së në Kavajë.
“Mungesa e respektit për Kavajën u treguan me primaret që në krye nxorën kandidatin e Kavajës, por kur u vendos lista e bunkerit të familjes, Kavaja doli në bisht dhe nuk e vunë kandidatin më të votuar të primareve. Ndryshimi ndodhi vetëm kur PS fitoi në Kavajë dhe kur PS fiton”, tha Spiropali.
Spiropali foli edhe për Reformën në Drejtësi.
“’Ne kemi një Shqipëri që sigurisht ka shumë për të bërë, por që nuk krahasohet me atë që ishte. Një Shqipëri që ecën më shpejt. Në fakt vendi që ecën më shpejt dhe që është më i vendosur drejt BE-së asnjë vend tjetër kandidat nuk i ka patur sfidat e Shqipërisë, në këtë rrugëtim dhe nuk ka patur vendosmërinë e saj të pathyeshme për t’u reformuar. Shqipëria ia hoqi drejtësinë politikës dhe ia dha qytetarëve. Ia dha atë një pushteti të tretë dhe ia ktheu çfarë ishte grabitur”, tha Spiropali.