Negociatat me BE, Rama: Të tjerëve do iu duhen gjashtë muaj kohë për të kuptuar ku janë dhe dera mbyllet

TIRANË, 21 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha gjatë fjalës së tij gjatë aktivitetit për prezantimin e kandidatëve për deputetë në qarkun e Tiranës, se negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Evropian nuk janë thjesht e vetëm një muhabet, por një punë e jashtëzakonshme për të cilën janë angazhuar një mijë persona dhe janë ngritur 40 skuadra.
“Dhe çdo javë, Adea dhe Majlinda që është kryenegociatore ulen përballë Komisionit Evropian për të dhënë llogari, çfarë ka bërë Shqipëria javën e shkuar. Çdo javë, sepse ndryshe nuk mbyllen negociatat në 2027 dhe 11 maji duhet të jetë i tillë. Kur ne të tjerët të numërojmë votat në 12 maj, një mijë njerëzit që ju fola të vazhdojnë punën qetësisht dhe të mos ketë asnjë luhatje se çfarë do bëhet”, u shpreh Rama.
“Është shumë e thjeshtë për t’u kuptuar dhe është historike për të mos u mbështetur dhe për të mos u kuptuar. Është një gabim historik, është një gjë që mund të ngelet për dekada të tëra një pishman i madh”, u shpreh Rama.
Kryeministri u ndal edhe te qasja se çështjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në mund ta bëjnë edhe forcat e tjera.
“Të thuash që procesin mund ta bëjnë të tjerët, është të mos kesh kuptuar asgjë. Nuk mund ta bëjnë dot. Të tjerëve do t’u duheshin, në rastin më të mirë sikur të mos kishin pasur asnjë ditë njomje të të ndenjurave në kënetë, jo më që ata janë në kënetë, flenë dhe zgjohen, hanë në kënetë, flasin, bërtasin, këndojnë në kënetë”, theksoi ai.
“Do t’iu duhen gjashtë muaj kohë për të kuptuar se ku janë, që do të thotë që nuk bëhet 2027-ta dhe dera mbyllet dhe ne e pësojmë siç e ka pësuar Maqedonia, që është bërë kandidate për në BE në vitin 2005, kur Kejsi deputetja e Kamzës ishte në maternitet dhe sot Maqedonia është me emër tjetër, Maqedonia e Veriut ka ndërruar emër dhe nuk dihet kur do t’i hapin negociatat”, vijoi Kryeministri.
Sipas Kryeministrit Rama, procesi i hapjes së negociatave për Shqipërinë me BE-në është diçka historike, sepse theksoi ai, në tavolinën e BE-së, Shqipëria është ulur vitin e kaluar.
“Ne, negociatat i kemi hapur zyrtarisht dhe jemi ulur në tavolinë vjet. E dini kur i ka hapur Mali i Zi? Në 2012-ën dhe atje nuk i thonë “ prapë ju”, sepse kjo është një betejë ku ti nuk je vetëm. Ku ti bën punën tënde dhe janë 27 të tjerë që ti duhet t’i sjellësh në një mendje që të thonë vazhdojmë”, vijoi Rama.
“Serbia i ka hapur negociatat në 2014-ën, ndërkohë që ne akoma nuk kishim marrë statusin e kandidatit dhe më besoni kur ju them që na janë dashur disa vite që ata andej të ngrenë sytë dhe të na shohin në sy kur ne flisnim, për të hyrë në BE. E të mos rrinin me sy ulur, hajde flisni ju, se kemi ca punë të tjera. Kroacia ka negociuar për shtatë vjet, ne na është dhënë mundësia që brenda tre vjetëve të mbyllim negociatat dhe të hyjmë në BE”, tha Rama. /j.p/
1 nga 4