Spiropali në Shkup: Gjuha shqipe thelbi i identitetit të shqiptarëve, të zbatohet marrëveshja e Ohrit

TIRANË, 23 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali deklaroi sot, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun maqedonas, Afrim Gashi se cenimi i gjuhës shqipe cenon identitetin e shqiptarëve, teksa shtoi se kjo çështje në Maqedoninë e Veriut duhet të zgjidhet sipas marrëveshjes së Ohrit.
Spiropali u shpreh se “presim me besim dhe shpresojmë që të zbatohet tërësisht edhe ligji për gjuhët”.
“Gjuha shqipe së paku për ne është e shenjtë dhe ajo ka të bëjë me thelbin e identitetit tonë. Cenimi i saj në çdo formë padyshim dhemb shumë dhe dhe cenon pikërisht këtë identitet që ne afrojmë në këtë botë të madhe në rajon e përtej, si vlerën tonë”, u shpreh Spiropali.
“Njohim dhe mirëkuptojmë plotësisht shqetësimet për mundësitë e ndryshimeve të mundshme, varësisht vendimit të pritshëm të Gjykatës Kushtetuese, por presim që trazime të tilla të kenë zgjidhje po sipas frymës që dikton marrëveshja kuadër e Ohrit”, shtoi ajo.
Spiropali theksoi se “faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut vazhdon të luajë një rol të qenësishëm në ruajtjen e stabilitetit të vendit”.
“Përfaqësimi i drejtë dhe proporcional i shqiptarëve në institucionet e vendit, bazuar edhe në këtë realitet gjeopolitik të rajonit dhe në interes të ndërsjellë, do të vijojë, sipas standardeve bashkëkohore demokratike të një shoqërie multietnike. Kjo gjë është një nga kushtet që garanton përpjekjet për ndërtimin e një shoqërie funksionale multietnike, të bazuar në zbatimin e plotë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit”, shtoi ajo.
Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut do të vendosë në shtator nëse do ta lërë në fuqi apo do ta shfuqizojë ligjin për gjuhët, ku një ndër gjuhët edhe edhe shqipja.