Spiropali prezanton pr/ligjin “Për prokurimin publik”: Synohet rritjen e transparencës. Ul korrupsionin

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, ka prezantuar disa shtesa në ligjin për “Për Prokurimin Publik” në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, deklaroi se qëllimi i këtij projektligji është të përmirësojë kuadrin rregullator të prokurimit publik në Shqipëri.
Sipas saj, ky pr/ligj synon përafrimin e mëtejshëm të ligjit me direktivat e BE-së, kjo edhe si pjesë e angazhimeve të marra në vijim të takimit dypalësh në kuadër të procesit “screening” për kapitullin 5 “Prokurimi publik”.
Sipas ministres, ndryshimet vijnë edhe pas analizave mbi problematikat e dala gjatë zbatimit të këtij ligji në praktikë nga autoritetet kontraktore dhe operatorët ekonomikë, me qëllim lehtësimin e procesit të prokurimit për të gjitha palët e përfshira në të.
Në një shënim në rrjetin e saj të Facebook, Spiropali vë në dukje se pr/ligji adreson çështje të organizimit të kuadrit institucional të zhvillimit teknologjik duke prezantuar koncepte lidhur me Inteligjencën Artificiale dhe automatizimin e proceseve.
“Përmes këtij propozimi synohet përmirësimi i procesit të prokurimit publik në disa drejtime kryesore, mbi të gjitha rritet transparenca dhe eficenca në procedurat e prokurimit. Për arritjen e këtij qëllimi, ky projektligj parashikon propozimin për zhvillimin e teknologjisë së inovacionit në sistemin e prokurimit publik në disa elementë të këtij procesi, përllogaritja e vlerës limit të kontratës, studimi i tregut, hartimi i specifikimeve teknike dhe vlerësimi i ofertave”, tha ministrja.
Gjithashtu ajo tha se, prezantohet përdorimi i teknologjisë së avancuar të Inteligjencës Artificiale (IA) dhe proceseve të robotizuara në sistemin dinamik të blerjes dhe ankandit elektronik.
“Zhvillimet teknologjike jo vetëm rrisin transparencën, por do të lehtësojnë po ashtu operatorët ekonomik duke ulur kohën e shpenzuar dhe kostot e mëparshme për dorëzim të dokumentacionit të noterizuar për çdo procedurë“, theksoi ministrja.
Ajo shtoi se dokumentet do të gjenerohen automatikisht përmes ndërveprimit të sistemeve.
“Po ashtu, për një luftë më efikase ndaj korrupsionit, për transparencë dhe efiçencë të shtuar propozohet edhe zhvillimi i teknologjisë & inovacionit në disa elementë të procesit të prokurimit, prezantimi i inteligjencës artificiale & proceseve të robotizuara në sistemin dinamik të blerjes dhe ankandit elektronik.”, tha ajo.
/rtsh.al/