Spiropali takon Tajani-n, thellohet bashkëpunimi strategjik, prioritet Korridori VIII dhe rrugëtimi në BE

Ministrja e Shtetit, Elisa Spiropali, zhvilloi një takim bilateral me Zëvendës Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm Italian, Antonio Tajani, në kuadër të Samitit Ndërqeveritar. Takimi u fokusua në forcimin e partneritetit strategjik dhe bashkëpunimin shumëplanësh në të gjitha fushat dhe forumet ndërkombëtare.
Ministrja Spiropali, përmes një postimi në rrjetet sociale, theksoi rolin e Italisë si “mik i shqiptarëve” dhe partner kyç.
Korridori VIII – prioritet strategjik
Mes temave qendrore të diskutimit ishte Korridori VIII, i cili konsiderohet me rëndësi jetike për ndërlidhjen, tregtinë dhe sigurinë e kontinentit. Kjo temë u prek gjithashtu në Samitin e Përgjithshëm si një pikë kyçe strategjike mes dy vendeve.
Spiropali shprehu falënderimet për Ministrin Tajani për angazhimin e tij në çuarjen përpara të këtyre projekteve. Ajo gjithashtu vuri në dukje “mbështetjen e kurdohershme të Italisë në rrugëtimin Evropian” të Shqipërisë, duke rikonfirmuar Italinë si një avokat të fortë të anëtarësimit të Tiranës në BE.
/rtsh.al/