Spiropali takon Tajanin: Thellim i bashkëpunimit shumëplanësh

TIRANË, 13 nëntor /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali mori pjesë sot në samitin e parë Ndërqeveritar Shqipëri–Itali, ku delegacioni shqiptar u kryesua nga Kryeministri Edi Rama.
Gjatë ditës, Spiropali zhvilloi edhe një takim bilateral me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Antonio Tajani.
Spiropali u shpreh se në takimin me Tajanin biseduan për thellimin e bashkëpunimit shumëplanësh në të gjitha fushat ku Shqipëria dhe Italia janë partnerë strategjikë në qëndrim e veprim.
Ministrja nënvizoi se, mes prioriteteve strategjike të dy vendeve është edhe Korridori VIII, me rëndësi për ndërlidhjen, tregtinë si dhe sigurinë e kontinentit.
Spiropali e falënderoi ministrin Tajani për angazhimin e tij për të çuar përpara të gjitha këto projekte si dhe për mbështetjen e kurdohershme të Italisë në rrugëtimin europian të Shqipërisë.
Samiti i sotëm ndërqeveritar përfaqëson një moment të rëndësishëm për konsolidimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha kyçe si mbrojtja dhe siguria, energjia, migracioni, shëndetësia, zhvillimi ekonomik dhe infrastrukturor, si dhe për përgatitjen e projekteve të përbashkëta për avancimin e partneritetit strategjik Shqipëri–Itali.
Gjatë takimit të sotëm, ministrja Spiropali nënshkroi Memorandumin e Mirëkuptimit mbi Bashkëpunimin në Sigurinë Kibernetike me homologun Antonio Tajani.
/gj.m/j.p/