Spitalet në sigurime, gjatë 2009-s u lëshuan 300 mijë libreza të reja
Futja e spitaleve në skemën e sigurimeve shëndetësore ka rritur numrin e pacientëve të siguruar. Vetëm gjatë vitit të kaluar janë hapur 296 mijë libreza të reja shëndetësore. Gjatë analizës vjetore të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shëndetësore të Tiranës, të prezantuar dje, drejtoresha e ISKSH-së, znj. Elvana Hana, theksoi se përfshirja e pacientëve në skemën e sigurimeve shëndetësore e njëherësh, përfitimet prej skemës kanë pësuar një rritje të ndjeshme gjatë vitit të kaluar.
Spitalet
“Vetëm gjatë tre muajve të fundit janë hapur 125 mijë libreza të reja në shkallë vendi, ndërsa në total gjatë vitit 2009 janë hapur 296 mijë libreza të reja. Kjo shifër tregon për një rritje të konsiderueshme të përfitimit te pacientëve nga skema e sigurimeve shëndetësore, pasi në një vit janë hapur 100 mijë libreza të reja më shumë krahasuar me vitin 2008”, - tha znj. Hana.
Sa i takon rajonit të Tiranës, kjo rritje e numrit të librezave të reja përbën rreth 133%, gjë që tregon se skema e sigurimeve është bërë më e prekshme për një numër më të madh banorësh. Duke u ndalur në kujdesin parësor Hana tha se lidhja e pagesës së mjekut me performancën në punë ku përfshihet 10% shtesë mbi pagën për numrin e vizitave të kryera, ka bërë që gjatë vitit 2009 të rritet numri i vizitave te mjeku i familjes dhe ai specialist duke arritur në 1.309.860, me një rritje prej 5% krahasuar me vitin 2008. Gjithashtu, drejtoresha tha se edhe pagesa bonus e mjekut ka pësuar një rritje të ndjeshme krahasuar me vitin 2008.
Ilaçet
Për sa u përket ilaçeve, drejtoresha e ISKSH-së tha se rimbursimi i barnave është përqendruar tek sëmundshmëria kronike me 98% të vlerës së rimbursimit, ndërsa akutet përbëjnë 2%. Shtatë grupet më të mëdha të sëmundshmërisë kronike zënë 95% ne totalin e sëmundjeve të rimbursimit. 10 sëmundshmëritë e mësipërme kanë rimbursim më të lartë dhe konsiderohen si ndër diagnozat më të shtrenjta. Katër diagnozat të cilat kanë pësuar rritjen më të madhe të kostos mesatare të rimbursimit për diagnoza, janë hipertension esencial me efekt financiar për shkak të rritjes së shpenzimeve mesatare të rimbursimit për rast me 21128 mijë lekë. Kjo është kushtëzuar nga ndryshimi i terapisë së mjekimit dhe kalimi i pacientëve nga një stad më i ulët në një stad më të lartë të hipertensionit esencial. Tumori malinj i gjirit te femrat ka një rritje të kostos mesatare të rimbursimit për diagnozë, efekti financiar i të cilit është përllogaritur me 11829 mije lekë për rast. Diabetis melitus ka rritje të kostos mesatare për rast, efekti financiar është përllogaritur me 11099 mijë lekë. Për shkak të ndryshimit të terapive të mjekimit, rritja e rasteve të trajtimit me insuline mbi kufizimet e listës së barnave, me miratim të komisioneve endokrinologjike. Epilepsia ka një rritje të kostos mesatare për rast, efekti financiar i të cilit është përllogaritur me 2311 mijë lekë.
Sëmundjet më të rimbursuara janë:
Sëmundshmëria Kardiovaskulare zë 42.3% të rimbursimit, predominon HTA, IKK
Sëmundshmëria Endokrine 13.2% të rimbursimit, predominon D. Melitus
Sëmundshmëria Respiratore 8.7% të rimbursimit, predominon A. Bronkiale
Sëmundshmëria Mendore 13.0% -//- -//- Psikoza skizofrenike
Sëmundshmëria SNQ shqisat 7.2% -//- -//- Epilepsia, Glaukoma
Sëmundshmëria Tumorale 6.6% -//- -//- CA mamë
Sëmundshmëria Urogenital 4.3% -//- -//- HB prostatë, IRK.