E Diel, 1 Nëntor 2026

Spitalet pa standarde, Urdhri i Mjekut: Jo për faj të mjekëve

Tiranë, 7 dhjetor NOA - Urdhri i Mjekut ka kundërshtuar të hënën deklaratat e ministrit të Shëndetësisë Petrit Vasili se mungesa e standardeve në spitalet tona është për faj të stafit mjekësor e mentalitetit të tyre. Sipas Vasilit, spitalet dhe teknologjia e tyre prej kohësh janë të metodave bashkëkohore por problemi mbetet tek mjekët të cilët jo të gjithë janë të gatshëm të përthithin të rejat e fundit të shkencës së mjekësisë.

Presidenti i Urdhrit, Dine Abazi, deklaroi se ankesat e pacientëve në drejtim të shërbimit shëndetësor janë të drejta por për këtë faji është i buxhetit të vogël që i akordohet shëndetësisë çdo vit nga qeveria.

Ka mungesa, shërbimi çalon në gjithçka, që nga infrastruktura dhe ambientet e deri tek besimi që kanë pacientët tek mjekët, por për këtë unë smund ti fajësoj bluzat e bardha pasi deri më sot, paratë që shteti ka dhënë për shëndetësinë ka qenë i vogël. Nëse qeveria nuk e konsideron prioritet shëndetësinë, asnjëherë nuk do të rregullohen gjërat në sistem dhe do të kemi gjithmonë probleme të tilla, tha Abazi.

Ndryshe nga këto deklarata, drejtori i Qendrës së Akreditimit dhe Cilësisë së shërbimit shëndetësor, Isuf Kalo, ndjehet optimist se tashmë spitalet tona publike kanë mjetet e duhura për të matur vetë standardet e shërbimit që ofrojnë.

Kalo theksoi se në 12 spitalet rajonale të vendit janë shpërndarë indikatorët e matjes së shërbimit shëndetësor, por sistemi ynë shëndetësor ende vuan mungesën e akreditimit, për ti ofruar realisht pacientit se cili prej spitaleve ofron shërbimin më të mirë.

b.m/NOA

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›