E Diel, 1 Nëntor 2026

Spitali Rajonal Korçë pezullon mjekun pas akuzave, nis verifikimet e brendshme

Spitali Rajonal Korçë ka reaguar lidhur me ngjarjen e raportuar pranë institucionit, për akuzat ndaj një mjeku për ngacmim seksual, duke bërë të ditur se është vënë menjëherë në dijeni të rastit dhe ka bashkëpunuar pa vonesë me organet ligjzbatuese për ndjekjen e procedurave përkatëse.

Në deklaratën zyrtare, spitali thekson se çdo pretendim apo sjellje që cenon dinjitetin, integritetin dhe sigurinë e pacientëve konsiderohet e papranueshme dhe duhet të trajtohet me përgjegjësi të plotë institucionale dhe ligjore, raportoi për RTSH gazetarja Eftjola Fili.

Sipas njoftimit, institucioni ka nisur menjëherë verifikimet administrative të brendshme dhe ka vendosur pezullimin e mjekut nga funksionet e tij deri në një vendim nga organet kompetente.

Spitali bën të ditur se, në respekt të procesit hetimor dhe për të garantuar integritetin e tij, nuk mund të japë në këtë fazë detaje të tjera mbi rastin.

Në përfundim, Spitali Rajonal Korçë rithekson se mbrojtja e pacientëve, etika profesionale dhe standardet e kujdesit shëndetësor mbeten prioritete të panegociueshme për institucionin.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›