Spitali i Shkodrës, me autonomi menaxheriale – Halluni: Objektivi kryesor një shërbim sa më cilësor

Spitali rajonal i Shkodrës së bashku me qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, dhe me spitalet rajonale, të Durrësit, Vlorës, Lezhës kanë nisur tashmë të operojnë mbi bazë të autonomisë menaxheriale.
Në një intervistë për RTSH-në, drejtori i Spitalit Rajonal Shkodër, Senad Halluni thotë se karta menaxheriale ju jep mundësinë të përdorin pikat e tyre më të forta në ofrimin e shërbimit shëndetësor.
“Spitali vepron me një plan strategjik, ka objektiva, qëllime në mënyra të arritjes. Kemi një plan përmirësimi ku je jemi dhe ku do arrijmë“, u shpreh ai.
Objektivi kryesor i autonomisë është të arrihet një shërbim sa më cilësor për pacientët.
”Fakti që vendimmarrja nga vertikale decentralizohet, do të thotë që shkojmë më afër asaj që është shërbimi sa më cilësor të pacientëve. Dhe në procesin e konstituimit të bordit është se një nga anëtarët është përfaqësues nga pacientët që do të thotë se në vendimmarrje marrin pjesë edhe pacientët nëpërmjet përfaqësuesit të tij”, tha Halluni.
Spitalet që kanë marrë tashmë kartën e autonomisë menaxheriale nuk do të drejtohen më nga një drejtor i vetëm, por do të jetë bordi ai që do të ketë në dorë menaxhimin.
Krahas bordit në Ministrinë e Shëndetësisë është ngritur një ekip që do të monitoroj se si këto spitale po funksionojnë dhe po plotësojnë kriteret e autonomisë.
Gazetar: L. Kadija
/rtsh.al/