Spitali i Tiranës, gati në qershor
Trumbetimi i sistemit të referimit, pagesat formale, informale, sigurimi shëndetësor, janë lajtmotivi i deklaratave më të përdorura pesë muajt e fundit në qarqet shëndetësore.
çfarë do të sjellë më shumë zbatimi i këtij sistemi, prioritetet e shëndetësisë në vitit 2010, si dhe inaugurimi i spitalit të Tiranës, pranë qendrës së sëmundjeve të mushkërive janë disa nga çështjet që ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka sqaruar në një intervistë për gazetën “Shqip”. Sipas Vasilit, qendra spitalore universitare “Nënë Tereza” do t’i rikthehet qëllimit dhe funksionit të saj të nivelit terciar, për të kryer ndërhyrje dhe diagnostikime të vështira. Ndërkohë që sipas tij, mjekët e rinj duhet të heqin mendësinë se nëse nuk punojnë në QSUT, më mirë të qëndrojnë në shtëpi...
Cilat janë disa nga prioritetet më ambicioze të Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2010?
Mendoj që viti 2010 do të jetë logjikshëm një vijim i reformës së vijuar në tremujorin e fundit të vitit 2009. Thelbi i reformës do të vazhdojë të mbetet risistemimi dhe ridisiplinimi i sistemit shëndetësor, duke i dhënë prioritet të padiskutueshëm sistemit parësor dhe duke rritur cilësinë e shërbimit spitalor. Dhe ajo që ne kemi konsideruar si kthimi i marrëdhënieve normale dhe formalitetit në vend të informalitetit në shëndetësi nëpërmjet sistemit të referimit do të vazhdojë me konsekuencë, do të jetë një prioritet i padiskutueshëm. Arsyeja është themelore, sepse vendoset një marrëdhënie transparente ndërmjet pacientit dhe qytetarët dhe sistemit nga ana tjetër. çdo pacient i di mirë cilat janë të drejtat e tij dhe cilat janë detyrimet ndaj sistemit. Në këtë mënyrë çdo marrëdhënie që më parë mund të ishte e paqartë, palët nuk dinin dhe kjo ngjallte, ndillte korrupsionin, siç ishin marrëdhëniet jo formale, kjo gjë merr fund dhe në këtë mënyrë ne prononcohemi qartë për këtë çështje. Secili me të shkelur në një nga qendrat shëndetësore e di fare mirë raportin e tij me të. Në funksionin të kësaj do të gëlojë si prioritet rritja e kualitetit të shërbimit shëndetësor në disa korpuse të shërbimit spitalor, vazhdimi i pasurimit të infrastrukturës ndaj shërbimit parësor dhe njëkohësisht edhe rritja e nivelit të urgjencës. Për sa i takon nivelit spitalor do të vazhdojmë disa investime të rëndësishme, i cili është përfundimi i spitalit të madh dhe modern të Tiranës, që zgjidh edhe problemin e urgjencës mjekësore brenda qendrës spitalore, një problem i vjetër ky dhe që zgjidhet me një nivel mjaft të lartë. Do të vazhdojë projekti në spitalin e Shkodrës.
Kur mendohet që do të mbarojë spitali i Tiranës?
Këto besoj brenda gjashtëmujorit të parë do t’i kemi të përfunduara, njëkohësisht do të përfundojë edhe rikonstruksioni i plotë, shumë i rëndësishëm i spitalit të sëmundjeve të mushkërive duke e kthyer në një qendër spitalore jo vetëm për mushkëritë, duke liruar qendrën spitalore universitare. Do të vazhdojmë disa investime në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” dhe njëkohësisht do të ketë edhe një projekt i cili do të ngrejë nivelin teknologjik, do të shtojmë ekzaminime të reja të nivelit të lartë siç janë skaneri dhe rezonanca edhe në spitale të tjera, jo vetëm në spitalin e Tiranës. Njëkohësisht do të miratohet strategjia kombëtare e sistemit të urgjencave. Projekti shumë i madh që sapo kemi firmosur me qeverinë japoneze do të implementohet gjatë gjithë këtij viti, për të krijuar 14 qendra rajonale të urgjencave për të dhënë ndihmën në kohën e duhur.
Shërbimi parësor dhe shëndeti publik do të vazhdojë aplikimin e skemës së vaksinimit duke ruajtur mbulesën e vaksinave që pa diskutim mund të quhet si një nga arritjet më të mëdha shëndetësore. Njëkohësisht, do të vazhdojmë të pajisim me teknologji sa më shumë të jetë e mundur. Si prioritete programore, por edhe të mbështetur me projekte përkatëse pa llogaritur edhe mjaft nga investimet që do të bëhen nga buxheti i shtetit. Besoj se do të krijoj një pamje të re dhe një kualitet të ri shërbimi që gjithmonë e më shumë do të bëjë që qytetarët të marrin ndihmën e duhur në sistem dhe gjithmonë e më pak njerëz të kenë pakënaqësi me sistemin.
Ka persona të cilët kanë dëshirë të zbatojnë sistemin e referimit, por duke punuar në të zezë nuk mund të paguajnë sigurime shëndetësore, për rrjedhim atyre ju duhet të paguajnë tarifat, apo kanë dhe zgjidhje të tjera?
Për sa i takon sistemit të referencës është një sistem logjik i bazuar mbi solidaritetin. Ky sistem respekton të tërë specifikën që ka vendi ynë. është sistem obligativ, në drejtim të pagesës janë të detyruar të paguajnë të gjithë ata që janë të punësuar dhe këtu nuk ka vend për koment. Sigurisht që sistemi mbron dukshëm shtresat në nevojë. Fëmijët, të moshuarit, nuk paguajnë.
Dhe të tërë ata që paguajnë me pagesë papunësie, që janë certifikuar si të tillë, sistemi i mbron dhe i ruan nga pagesat. Sigurisht që sistemi është i drejtë në raport me të tërë ata që punojnë. S’mundet të pajtohet me ata që punojnë në të zezë dhe do të detyrohen të paguajnë të sigurohen në mënyrë vullnetare që është një detyrim dhe e drejtë e tyre në rast të kundërt janë të detyruar të paguajnë tarifat e vendosura.
Këtu ne s’bëjmë asgjë tjetër veçse zbatojmë një drejtësi sociale normale, mbrojmë ata që janë më të varfër në nevojë. Kjo drejtësi vepron si edhe për sisteme të tjera të taksave dhe tatimeve në shtetin shqiptar. Shtresat e varfra janë të privuar nga pagesa, subvencionohen. Besoj se nuk bën asnjë përjashtim, shëndetësia duke qenë konsekuente vetëm kthehet në normalitet, në këtë mënyrë ky normalitet lufton dhe informalitetin. Ju shikoni që ngjarjet e korrupsionit janë më të pakta, sepse qytetarët e dinë se çfarë duhet të paguajnë dhe çfarë jo, dhe në këtë mënyrë kjo është mënyra më e mirë, pra lufta ndaj korrupsionit bëhet në mënyrë sistematike nuk mund të bëhet vetëm me raste konkrete. Një sistem që nuk funksionon dhe me element të informalitetit pjell korrupsion. Një sistem që i ka të qarta marrëdhëniet ai që në mënyrën se si instalohet, do ta luftojë korrupsionin që në start, kjo është edhe psikologjia e sistemit të referimit. Në këtë mënyrë ka edhe një të mirë, evidentohet qartë se këto para të paguara shkojnë në sistem dhe përdoren në mënyrë të rregullt dhe në mënyrë të ndershme, nuk abuzohet me to dhe ne kemi mundësi ta kontrollojmë nëse dikush do të donte të abuzonte.
Nga 2005 deri në 2010 janë ndërruar 4 drejtues, kjo e ka ndihmuar sistemin apo ka qenë pengesë për zhvillimin e reformave në kohë?
Nuk jam i prirur të bëj llogaritjet e një matematike të tillë. Ndërmarrja e reformave të qarta dhe detyrimi për t’i respektuar këto ky është dallimi mes një drejtuesi dhe një tjetri. Besoj se në Shqipëri një herë e përgjithmonë do të çlirohen nga ky ankth i ndryshimit. Një nga mjekësitë që funksionon më mirë në botë është mjekësia japoneze, e cila ka ndryshuar 67 qeveri, por është një nga fuqitë më të mëdha të botës. Kemi dhe fqinjët tanë italianët që kanë pasur një gjë të tillë, ndonëse kanë një nga katër sistemet më të mira në botë. Mendimi im është që në politikë, por edhe në burokracinë shtetërore çdo njeri që merr një detyrë ka detyrimit që të çoj përpara një reformë të nisur në stafetën e radhës. Mund të jetë edhe një ministër i vetëm në katër vjet, i cili mund të dështojë totalisht në sfidat e veta mund të jenë edhe disa ministra që ndryshohen dhe çështjet ecin përpara. Kjo varet nga kontrolli shtetëror në realizimin e objektivave dhe konsekuenca për të zbatuar një reformë tashmë të domosdoshme për vendin. Unë në këtë këndvështrim e shikoj dhe sigurisht jam i prirur gjithmonë t’i shikoj pozitivisht dhe të amplifikoj çdo arritje pozitive për ta konservuar dhe sigurisht për të qëndruar fort në ato pika të dobëta të sistemit. Detyra jonë është ta përmirësojmë sistemin jo ta përkeqësojmë.
Shefat e shërbimeve, në mënyrë të veçantë në QSUT kanë mbetur të pandryshuar, ndërkohë që shpesh dëgjojmë edhe për vështirësi të mjekëve të rinj, qoftë dhe të atyre që janë shkolluar në Perëndim, për të qenë pjesë e sistemit shëndetësor. Kjo bëhet për shkak të luftës së brezave apo për efekt të konkurrencës?
Problemi është i tillë, të dallojmë dy gjëra. Ideja e ndryshimit të shefave të shërbimit në mënyrë frekuente nuk është një normalitet në shëndetësinë normale bashkëkohore. Madje, shefat e shërbimeve që njëherazi janë edhe personalitete të mëdha shkencore kanë të garantuar ndryshe nga mandatet që jemi mësuar të dëgjojmë, të personave kushtetues, kanë një mandat komplet tjetër, që është mandati i profesional i tyre dhe sigurisht koha e ushtrimit të detyrës së tyre normalisht është e gjatë.
Kështu ndodh rëndom në të gjithë botën shkencore mjekësore. Shefat e shërbimit janë personalitete që shpeshherë kanë një moshë të rëndësishme dhe nëse ju do të bëni një kërkim në institucione analoge në Europë do të shikoni që ka një jetëgjatësi, se kështu lind edhe pjekuria shkencore dhe profesionale. Sigurisht, një politikë gjithmonë e më e hapur duhet bërë në raport me përfshirjen e të rinjve të talentuar. Nuk jam dakord me termin, të rinjtë që kanë mbaruar jashtë apo brenda. Ka rëndësi një koncept, të rinjtë të aftë dhe të talentuar apo të rinjtë të paaftë. Të rinjtë të aftë dhe të talentuar ngado që vijnë nga brenda ka plot djem dhe vajza të shkëlqyer, edhe nga jashtë, gjithmonë politika duhet të jetë e hapur liberale, por njëkohësisht detyra e këtyre të rinjve është që të derdhin gjithmonë e më shumë djersë, kokulur për të ecur përpara në profesionin e tyre, është një detyrë që mjekësia ka detyrim. Mjek i mirë bëhet ai që ka një kohë të gjatë që ushtron profesion. është pak më ndryshe se disa profesione të tjera, nuk mund të bëhesh mjek shumë i zoti brenda një viti, absolutisht jo. Sa më shumë raste të shikuara, sa më shumë ndërhyrje, sa më shumë vizita të bëra, nuk fillon talenti dhe mbaron vetëm në kirurgji kardiokirurgji, neurokirurgji. Një njeri i talentuar është shumë i vlefshëm në çdo specialitet të mjekësisë. Sot nëse ju do të shikoni se si shpërndahet sëmundshmëria, ka disa nivele më të larta të disa sëmundjeve, por kemi sëmundshmëri botërore që po ndahet në shumë nivele. Pra ka nevojë për fuqi të kualifikuara dhe të talentuara në të gjitha degët e mëdha të mjekësisë.
Shumë të rinj të talentuar duhet të përfshihen në specialitete të mëdha të shëndetit publik, të epidemiologjisë, parandalimit, sepse emergjencat e mëdha me të cilat ne jemi përballur na kanë mësuar se këta të rinj të talentuar duan të përballojnë gjëra të mëdha. Mjekësia në total ka nevojë për fuqi të reja, sigurisht që mjekësia duhet mirëkuptuar, i ka ato përplasjet e saj brenda për brenda, si çdo fushë tjetër, por mendoj se ka gjithmonë vend dhe për hapje të vazhdueshme, me mekanizma gjithmonë e më të zhdërvjellët duke aplikuar të gjitha llojet e mundësive, qoftë kontrata të pjesshme, qoftë kontrata të plota, kontrata part-time, janë të mirëpritura të gjitha format, mjafton të kemi sa më shumë njerëz në proces dhe sa më pak jashtë procesit.
Sipas mendimit tuaj, a është e nevojshme të kemi një rishpërndarje të mjekëve në spitale, aty ku ka mungesa, kjo edhe për të evituar ngarkesën që ka “Nënë Tereza”?
Kjo rrethanë afrohet nga ne. Ndjekim gjithmonë e më shumë atë që quhet logjikë e transparencës së plotë. Të gjitha vendet e lira disponibël do të jenë të hapura është në zgjedhjen e tyre, por është vendi për t’u kujtuar të gjithëve, mjekësi e madhe bëhet në çdo spital të Shqipërisë, dhe ideja që: o duhet të punojmë në QSUT o s’ka, është një ide e prapambetur dhe besoj që të rinjtë, por edhe ata që vijnë nga jashtë, e dinë shumë mirë se në vendet ku kanë studiuar, tabuja e kryeqytetit nuk ekziston fare, nëse duhet të marrim një vend fqinj dikush punon në Milano, në Siena, në Bari, rëndësi ka të punojë, kjo logjikë duhet të jetë edhe për Shqipërinë. Janë të domosdoshëm të punojnë edhe në Shkodër, edhe në Lezhë, edhe në Elbasan, Vlorë, Pogradec e gjetkë. Një kirurg që i ofrohet një sallë kirurgjikale e ka edhe pacientë që ka të drejtë ligjore t’i trajtojë ka diçka për të bërë. Në këtë rast duhet evituar nga mendja që nëse nuk punoj në QSUT më mirë të rri në shtëpi. Kjo është një ide e gabuar dhe që i dëmton profesionalisht.
Për gjashtë vite me radhë, por edhe në analizën e fundit të QSUT-së, spitalit të nivelit terciar, në listën e operacioneve më të shpeshta renditen ndërhyrjet e thjeshta. Po e humb kjo qendër funksionin e saj për nivel të lartë diagnostikimi apo realizimi të ndërhyrjeve të vështira?
Duke çliruar nga rutina QSUT, sepse mungesa e sistemit të referimit ka bërë që spitali të marrë të gjitha këto intervente. Gjatë 12 javëve që ka nisur zbatimi i sistemit të referimit ka një ulje prej 30 për qind të vizitave ambulatore të panevojshme. Pra dora-dorës do shkojë drejt çlirimit të kësaj dhe nëpërmjet sistemit të referimit ekzigjent, natyrshëm do të punojë më fort për rastet e vështira siç ka qenë edhe traditë e saj, siç është dhe destinacioni i saj si qendër terciare. Mungesa e rregullit, sigurisht e stimulon këtë gjë, megjithatë një fakt është që QSUT mban ngarkesë të madhe. Këta mijëra njerëz kanë zgjidhur problemet e tyre shëndetësore në Shqipëri dhe kjo është ngjarje e madhe, në të kundërt do ta bënin diku gjetkë, me çmime shumë të mëdha dhe me shumë probleme të tjera. Të rivëmë në atë që është elitarizmi i duhur në QSUT dhe shpërndarjen e ngarkesës atje në realizimin e spitalit për të cilën unë po punoj fort dhe po ngulim këmbë, është pikërisht ajo pjesë e rëndësishme e reformës për të sjellë në normalitet shërbimin dhe për të ofruar shërbim gjithmonë e më pranë qytetarit. Ne lejonim një sistem liberal të pakuptimtë, ndërkohë që e njëjta gjë mund të bëhet gjetkë dhe pa arsye do të bëhet në QSUT, natyrshëm do të ishte kaosi që do të mbizotëronte.
#