E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërron jetë Aleksandër Haig, luftëtari i fundit i Luftës së Ftohtë

SHBA Ish-sekretari i Shtetit pati një karrierë të gjatë dhe me ulje e ngritje

Ish-sekretari amerikan i shtetit, Alexander Haig, ka ndërruar jetë dje në moshën 85-vjeçare. Ai u shtrua në spital më 28 janar, me komplikime shëndetësore, që u përkeqësuan edhe për sa u përket rrugëve të frymëmarrjes. Ai ka qenë shefi i stafit të Presidentit Nikson gjatë skandalit të Watergate në fillim të viteve ’70. Haig njihet ndoshta edhe për reagimin e tij pas atentatit që i bënë Presidentit të atëhershëm Ronald Regan, në vitin 1981 se “ishte në kontroll të situatës”. Më pas, ai tha se e kishte përdorur një shprehje të tillë për të ruajtur qetësinë e njerëzve, por u akuzua për tentativë të tejkalimit të kompetencave dhe autoritetit të tij. Sipas një zëdhënësi të spitalit ku ndërroi jetën ish-shtetari amerikan, Haig vdiq të shtunën në orët e para të ditës. Në një deklaratë, Presidenti Obama e konsideroi atë “një amerikan të madh që i shërbeu vendit me nder”. “Gjenerali Haig personifikoi diplomatin më të zot të kombinuar me vlerat dhe guximin e një njeriu luftarak, një nga ata njerëz që ia kushtuan jetën e tyre shërbimit publik”, thuhet në lerën e Obamës. Për sa u përket vlerësimeve të të tjerëve, ai mund të konsiderohet edhe si luftëtari i fundmë i Luftës së Ftohtë. Ai mori dekorata si për luftën në Vietnam, ashtu për atë në Kore dhe u bë gjeneral para se të vazhdonte luftën në radhët e konservatorëve republikanë në vitet ’70 dhe ’80. Në vitin 1973 atij iu kërkua që të bëhej shefi i stafit të Presidentit të atëhershëm Nikson, në një periudhë kur administrata ishte në një turbullirë dhe paqartësi të madhe për shkak të skandaleve që kishin plasur. Iu dha merita për shpëtimin e diskreditimit të plotë të Presidencës së Niksonit, madje thuhet se ishte ai që arriti ta bindte Niksonin të jepte dorëheqjen. Më pas, vazhdoi të qëndronte në detyrën e shefit të stafit të pasuesit së Niksonit, Ford. Pas një periudhe si komandant suprem të forcave aleate të NATO-s në Europë, Haig u kthye në Uashington në vitin 1981 në pozicionin e sekretarit të Shtetit të Reganit, të cilin e bëri me shumë agresivitet. Gjatë kësaj kohe shkaktoi shumë kundërshti me idenë për të përdorur armë bërthamore, nëse do të ishte nevoja kundër sovjetikëve, në shenjë paralajmërimi apo edhe dënimi. “Doktrina e NATO-s përmban plane të shpejta në lidhje me përdorimin e armëve bërthamore për qëllime demonstrative, pra për t’i demonstruar palës kundërshtare se ata janë duke i tejkaluar limitet e tolerancës dhe në sferën konvencionale”, ka thënë ai në atë kohë. Ai dështoi gjithashtu edhe në përpjekjet diplomatike për të negociuar mes Britanisë së Madhe dhe Argjentinës para fillimit të luftës në ishujt Falkland. Në vitin 1988 kandidoi për President të vendit nga republikanët, por u mund nga Bush, që më pas u bë edhe Presidenti i vendit. Kjo humbje shënoi edhe vijën e finishit të karrierës së tij politike.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›