E Diel, 1 Nëntor 2026

Sporti i notit në Sarandë, 60 fëmijë stërviten në ekipin e qytetit

Interesi për sportin e notit në Sarandë vijon të jetë i lartë, veçanërisht nga fëmijët e grup moshave të ndryshme. Gjithnjë e më shumë të rinj po i bashkohen këtij sporti, duke e kthyer notin në një nga aktivitetet më të preferuara.

Sipas profesorit të notit, Edmond Vasi, aktualisht në ekipin e Sarandës  trajnohen rreth 60 fëmijë të moshave të ndryshme. Ai thekson se përfshirja e tyre në këtë sport jo vetëm që ndikon në zhvillimin fizik, por edhe në disiplinë dhe vetëbesim.

“Pjesëmarrja e fëmijëve ka qenë e mirë. Kanë pasur dëshirë të marrin pjesë dhe kemi punuar mirë me të gjitha grup moshat. Në qoftë se flasim për ekipin, na kanë ngelur fëmijët e moshës 14 vjeç e poshtë, domethënë 12, 13 dhe 10 vjeç, si dhe ka edhe 8-vjeçarë”, u shpreh trajneri Edmond Vasi.

Ekipi i Sarandës ka nxjerrë elementë të rinj dhe është përfaqësuar në aktivitete të ndryshme sportive. Sipas trajnerit Edmond Vasi, fëmijët që aktivizohen në këtë sport e kanë pasionin si motivin kryesor, duke synuar rezultate gjithnjë e më të mira në të ardhmen.

“Në dy aktivitetet e fundit që kemi bërë në Kampionatin Kombëtar për fëmijë, të rritur dhe të rinj, ne përfaqësuam grup moshën 14 vjeç e poshtë. Në atë aktivitet morëm rreth tetë medalje, por më e rëndësishmja është që ata që vijnë e kanë pasion”, tha ai.

Noti në Sarandë po shndërrohet në një nga sportet më të preferuara për fëmijët, duke nxitur jo vetëm aktivitetin fizik, por edhe zhvillimin e talenteve të reja. Me një interes në rritje dhe përkushtim të vazhdueshëm, ky sport pritet të sjellë rezultate edhe më të mira në të ardhmen.

Gazetare: B.Gjyli

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›