Sporti nga vendi
Shotel: Salihi? Nuk do lejojmë që të largohet
Trajneri i Rapidit të Vjenës, Piter Shotel, vazhdon të mos ketë besim te sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Hamdi Salihi. Edhe pse shkodrani është në një formë të shkëlqyer, çka e tregoi edhe në ndeshjen e fundit në Kupën e Austrisë, përsëri në media Shotel ka pohuar dje se goleada nuk i jep Salihit postin e titullarit të padiskutueshëm. “Salihi është në formë dhe shënoi 5 gola, por kjo nuk do të thotë se ai është i pazëvendësueshëm. Sigurisht për momentin ai është lojtari që kërkohet më shumë nga klubet e huaja, por unë kam ndërmend që t’u kërkoj drejtuesve të klubit që të mos pranojnë asnjë ofertë për të. Nëse Salihi largohet, atëherë kjo skuadër nuk mund të pretendojë që të luajë për titull”, ka pohuar Shotel.
Vajushi, larg Këlnit, drejt Augsburgut
Armando Vajushi mund të mbetet në Gjermani. Talenti shkodran, i cili ndodhet prej disa ditësh në këtë vend, pritet të firmosë një kontratë me skuadrën e Augsburgut, ku aktualisht luan sulmuesi tjetër shqiptar, Edmond Kapllani. Por, në kundërshtim me këtë të fundit, i cili nuk preferohet fare nga trajneri i kësaj skuadre (madje para disa javësh në një konferencë për shtyp e tha haptazi që Kapllani duhet të largohet se konsiderohet si sulmues i shtatë në ekip), Vajushi shihet si një afrim me vlerë. Momentalisht, drejtuesit e klubit janë në tratativa me homologët shkodranë, të cilët kërkojnë të paktën 200 mijë euro për kartonin e sulmuesit të dalë nga akademia e Vllaznisë. Kujtojmë se deri para tre ditësh, Vajushi u provua te Këlni.
Reja, elozhe Canës: Mesfusha, e sigurt me të
Mjaftoi një 90-minutësh i luajtur me kujdes, por pa shumë eksese, që trajneri i Lacios, Edi Reja, të fliste me superlativa për Lorik Canën. Për herë të parë pas shumë ditësh polemika në media, më së shumti nga ana e analistëve sportivë për aktivizimin e mesfushorit shqiptar, trajneri ka “thyer akullin” duke vlerësuar lojën e Canës në ndeshjen miqësore ndaj Arisit të Selanikut. “Më pëlqeu shumë Cana, sidomos në pjesën e dytë kur na u nevojit më shumë mbyllje hapësirash mes reparteve. Mendoj se me të në mesfushë jemi më të sigurt. Gjithsesi, në përgjithësi më pëlqeu skuadra për nga grinta dhe dëshira për të fituar edhe pse bëhej fjalë për një ndeshje miqësore”, ka pohuar dje në media tekniku i Lacios.