Spoti i Zgjohu, KKRT: Është i ligjshëm
KKRT-ja e quan të ligjshëm spotin e bërë nga Zgjohu. Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit u njoh me deklaratën e bërë nga deputeti socialist Fatmir Toçi duke e argumentuar ligjshmërinë e spotit në përputhje me nenin 55 të ligjit nr. 8410, datë 30.09.1998 Për Radion dhe Televizionin Publik në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, i cili përcakton kriteret dhe kushtet, të cilat duhet të respektohen nga transmetuesit televizive në dhënien e reklamave. Përmes një deklarate për shtyp, bëhet e ditur se Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit, mbas vizionimit të kryer, gjykon se reklama e transmetuar në disa media elektronike e për të cilën bën fjalë deputeti Toçi, nuk konsumon asnjë nga pikat e nenit të sipërpërmendur; nuk ushtron ndikim në përmbajtjen e programeve; nuk nxit pornografinë dhe dhunën; nuk është reklamë e tërthortë; nuk është reklamë e ndonjë partie apo shoqate politike dhe as nuk bie në kundërshtim me ligjet në fuqi. Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit është i mendimit se reklama në fjalë, nën siglën e lëvizjes Zgjohu, e cila pas verifikimeve tona rezulton të jetë një bashkim vullnetar individësh, synon të ndërgjegjësojë opinionin publik për një fenomen mjaft të mprehtë të shoqërisë shqiptare: luftën kundër korrupsionit. Për sa i përket kërkesës së deputetit Toçi, në lidhje me bërjen e transparencës së financimit të reklamës në fjalë, KKRT mbështet këtë kërkesë, por bën me dije se ndërmarrja e këtij veprimi del jashtë objektit të punës së Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit. Përfitojmë nga rasti të theksojmë se Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit ka qenë dhe është i vendosur në zbatimin e legjislacionit në fuqi, duke ruajtur të njëjtat standarde për të gjitha subjektet radiotelevizive, - përfundon deklarata e KKRT-së.