E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha përuron Autoritetin Kombëtar të Ushqimit

Ngritja e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit është një hap shumë i rëndësishëm përpara në procesin e integrimit evropian dhe Komisioni Evropian ka dhënë një ndihmë të gjithanshme që nga fillesat e hartimit të ligjit të këtij autoriteti gjer të përfundimi i rindërtimit të kësaj ndërtese funksionale. Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në përurimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, ku i pranishëm ishte dhe Helmuth Lohan, ambasadori i Delegacionit të Komisionit Evropian. Para të pranishmëve, z. Lohan u shpreh mjaft i entuziazmuar për ngritjen e një institucioni të tillë, mjaft të rëndësishëm edhe për arritjen e standardeve integruese drejt familjes evropiane. Kryeministri Berisha vuri në dukje se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka një nga misionet më të rëndësishme në vend, sigurinë e ushqimit, standardin e ushqimit. Sipas tij, në tërësinë universale të standardeve, asnjë standard nuk është më i rëndësishëm, sesa ai i ushqimit, i ujit të përditshëm, kështu që ky mision ka rëndësi jetike për çdo qytetar, për çdo familje, për shoqërinë në tërësi, për Shqipërinë në tërësi. Ngritja e këtij autoriteti është një hap shumë i rëndësishëm përpara në procesin e integrimit evropian. Procesi i integrimit është proces standardesh para së gjithash. Një proces standardesh që kanë një dinamizëm, nuk mbeten kurrë të ngrira, por ecin në konsolidim e sipër dhe në përmirësim e sipër. Jam shumë i gëzuar që ne inaugurojmë Autoritetin Kombëtar të Ushqimit vetëm pas 3-4 ditësh që Komisioni Evropian ktheu përgjigjet apo shtroi pyetjet dhe sqarimet për pyetësorin. Kam mbetur jashtëzakonisht i impresionuar nga shpejtësia me të cilën reagoi Komisioni, i cili ka një tërësi punësh të pamata, - tha Berisha. Kjo do të thotë, - shtoi ai, - që ne të interesuarit, për të ecur sa më shpejt drejt këtij procesi, duhet të bëjmë çdo gjë për ndërtimin dhe konsolidimin sa më solid të standardeve të cilat na afrojnë me Bashkimin Evropian. Edhe një herë unë ju uroj suksese dhe ju garantoj se qeveria do të mbështesë fuqishëm të gjithë veprimtarinë tuaj në mënyrë që të përmbushni me dinjitet, kompetencë dhe transparencë misionin tuaj të madh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›