E Diel, 1 Nëntor 2026

Srebrenica, 15 vjet më vonë Europa kujton masakrën e egër

Karaxhiç “dekorohet”, Tadiç nuk mungon në ceremoninë përkujtimore

15 vjet më parë, Europa u përball me një nga historitë më të dhimbshme që nga krijimi i saj. Në 11 korrikun e vitit 1995, gjatë luftës së Bosnjë-Hercegovinës u krye masakra e Srebrenicës, që u mori jetën 8300 personave sipas shifrave zyrtare. Më shumë se 60 mijë vetë ishin mbledhur për të kujtuar dje në qytetin boshnjak Srebrenicë gjenocidin e 15 viteve më parë. Politikanë të lartë nga rajoni dhe Europa u bënë nderimet e fundit eshtrave të 775 vetëve të masakruar, të cilat u identifikuan kohët e fundit dhe u varrosën në varrezën përkujtimore në Potoçari, pranë Srebrenicës. Në ceremoni nuk mungoi Presidenti serb, Boris Tadiç, ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, Kryeministri i Belgjikës, Yves Laterme, i Turqisë, Tayip Erdogan, i Kroacisë, Jadranka Kosor, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Europës, Thorbjorn Jaglanda, dhe ministri i Jashtëm francez, Bernard

Koushner

Presidenti serb, Boris Tadiç, me rastin e 15-vjetorit të masakrës së Srebrenicës lëshoi një apel për pajtim mes të gjitha vendeve të ish-Jugosllavisë. “Ndodhem në Srebrenicë me shpresën që të krijojë urat lidhëse për miqësinë dhe mirëkuptimin mes vendeve të rajonit”, tha Tadiç. Tadiç tha se ai do të bënte gjithçka që mundte për arrestimin e të dyshuarve për krime lufte në Serbi. Edhe Kryeministri serb, Mirko Cvetkovic, foli për nevojën e një mirëkuptimi dhe vëllazërimi midis këtyre popujve. Sipas tij “pa këtë miqësi nuk mund të jetojmë”. Në Srebrenicë në korrikun vitit 1995 forcat serbo-boshnjake, nën komandën e gjeneralit Ratko Mladiç, vranë më shumë se 8000 burra dhe të rinj myslimanë. Gjithçka ndodhi para syve të kaskave blu holandeze që gjendeshin aty për të mbrojtur qytetin e shpallur zonë e mbrojtur nga OKB. Ky episod është cilësuar si gjenocid nga drejtësia ndërkombëtare. Kryetari i Bashkisë së Srebrenicës, Osman Suljiç, i bëri thirrje botës që të mos e harrojë kurrë gjenocidin që ndodhi. "Le të marrim të gjithë përgjegjësinë e zbatimit të vendimit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare verdiktin për gjenocidin në Srebrenicë, me qëllim që kurrë të mos lejojmë që një gjë e ngjashme të ndodhë sërish ndaj askujt dhe askund në botë. Unë do të doja t’u bëja apel Kombeve të Bashkuara të transformojë rezolutat ekzistuese në ndihmë aktive për Srebrenicën dhe të ndihmojë fëmijët e atyre që humbën jetën që nuk mundën t’u tregonin fëmijëve të tyre vlerat e vërteta të jetës", tha ai. E ndërsa Srebrenica dhe gjithë Europa përkujtoi një nga ngjarjet më të tmerrshme dhe më mizore të historisë së saj, Radovan Karaxhiç – përgjegjësi kryesor i masakrës së bashku me gjeneralin Ratko Mlladiç, është dekoruar nga partia e tij. Sipas asaj që raporton agjencia e lajmeve “Fena”, Partia Demokratike Serbe, ka dekoruar në mungesë përveç Karaxhiçit edhe Momcilo Krajisnik, kryetar i Parlamentit të serbëve të Bosnjës në kohët e luftës, i dënuar me 20 vjet për krime lufte. Karaxhiç dhe Krajisnik themeluan Partinë Demokratike serbe në fillim të viteve ‘90, me shpërbërjen e Federatës Jugosllave. Medaljet dhe dekoratat iu dorëzuan gruas së Radovan Karaxhiçit, Liljana Zelen-Karaxhiç, dhe vëllait të Momcilo Krajisnik, Mirko. Ndërkaq, për herë të parë pas 15 vjetësh televizioni shtetar serb (Rts) ka transmetuar një dokumentar mbi të vërtetën e fakteve të asaj masakre. Bëhet fjalë për dëshminë e një të mbijetuari që tregon dhimbjen dhe mizoritë e jetuara në ato ditë të tmerrshme 15 vjet më parë, pak përpara fundit të luftës së Bosnjës. Vendimi i televizionit shtetëror serb për të transmetuar dokumentarin mbi Srebrenicën pasoi aprovimet e fundit të marsit nga ana e Parlamentit të Beogradit të një rezolute që dënonte masakrën e Srebrenicës.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›