E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rexhepi, Tadiçit: Mitrovica, territor i Kosovës

“Unë nuk do t’i dërgoj njësitë speciale të policisë në Serbi”

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, u përgjigjet reagimeve të Tadiçit dhe Këshillit Kombëtar Serb për Kosovën lidhur me deklaratën e tij për dërgimin e njësiteve speciale të policisë në pjesën veriore të Mitrovicës. Ai tha dje se deklaratat e Tadiçit janë të pamatura politikisht dhe se janë përzierje në punët e brendshme të shtetit. “Unë nuk do t’i dërgoj njësitë speciale të policisë në Kragujevac e as në ndonjë qytet tjetër të Serbisë, por në territorin e shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Rexhepi. Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, deklaratat e Bajram Rexhepit, për të dërguar njësi speciale të policisë në veri të Kosovës, i ka quajtur kërcënim i hapur për luftë. Sipas Tadiçit, institucionet e Kosovës do të jenë përgjegjëse për pasojat, siç ka thënë ai, tragjike të zbatimit të mundshëm të këtij plani. Tadiç ka thënë se deklaratat e tilla luftënxitëse (të ministrit Rexhepi) dhe provokimet e tjera kërcënojnë paqen e brishtë dhe stabilitetin në veri të Kosovës. Po për deklaratën e ministrit të Brendshëm, Bajram Rexhepi, ka reaguar edhe i ashtuquajturi Këshill Kombëtar Serb për Kosovën. “Deklarata histerike e ministrit të Policisë të Prishtinës, Bajram Rexhepi, se do të dërgojë në veri të Kosovës njësitë speciale të policisë me qëllim të vendosjes së rendit e të qetësisë, pa mëdyshje është shpallje e hapur e luftës ndaj serbëve të këtushëm, por edhe pasojë e drejtpërdrejtë e mbështetjes amerikane të pavarësisë së Kosovës. Ndërkohë, shefi i EULEX-it, Yves de Kermabon, ka thënë se nuk ka pasur asnjë marrëveshje lidhur me dërgimin e njësiteve speciale të policisë në këtë zonë. “Ne vazhdojmë të punojmë me të gjitha palët drejt themelimit dhe trajnimit të një njësiti special policor shumetnik” ka deklaruar De Kermabon. Sipas tij, policia e Kosovës po e mban rendin dhe ligjin në atë pjesë, e monitoruar dhe këshilluar nga EULEX-i.

Ndërkaq, autoritetet vendore dhe ndërkombëtare pohojnë se situata në veri është qetësuar, por ekspertët e sigurisë thonë të kundërtën. Ekspertët e çështjeve ushtarake dhe të sigurisë vlerësojnë se situata në veri të Mitrovicës vazhdon të mbetet e brishtë. Ata thonë se institucionet e Kosovës duhet të fillojnë t’i rrisin masat e sigurisë, në mbrojtje të jetës së qytetarëve atje. Sipas tyre, autoritetet kosovare duhet të garantojnë sigurinë dhe tërësinë territoriale të shtetit.

Naim Maloku, ekspert për çështje ushtarake, njëherësh deputet në Kuvendin e Kosovës, thotë se për të pasur një stabilitet të situatës në veri, duhet që domosdoshmërisht të fuqizohen mekanizmat për mbajtjen e rendit dhe funksionimin e ligjshmërisë në atë pjesë të Kosovës. “Absolutisht, situata në veri nuk është e qetë. Unë mendoj që, sa më gjatë të jetë kjo situatë, e parregulluar dhe pa u shtrirë dora e ligjit dhe e drejtësisë, ajo pjesë veç sa do të shkojë në dëm të Kosovës, por edhe Serbia do të ketë dëme, edhe krejt rajoni”, tha Maloku. Edhe për ekspertin, Agim Musliu, situata e sigurisë në veri të Kosovës është e paqëndrueshme. Sipas tij, gjendja atje mund të jetë stabël aq sa dëshirojnë autoritetet e sigurisë në Serbi. “Situata e sigurisë në veri të Kosovës është stabël aq sa duan instrumentet e sigurisë apo aq sa do politika serbe. Në momentin kur u duhet atyre ta destabilizojnë, ata do ta destabilizojnë dhe do të bëjnë ndonjë ngjarje siç ndodhi para disa ditësh”, deklaroi Musliu.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›