E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sri Lanka perleshje ne burg 27 te vdekur

Të paktën 27 persona kanë vdekur në përleshjet mes të burgosurve dhe rojeve në burgun Uelikada të Sri Lankës.

Lajmin e kanë bërë të ditur autoritetet lokale, sipas të cilave dhuna filloi kur komandot e policisë mbërritën në burg për të garantuar sigurinë.

Pasi disa prej të dënuarve u pajisën me armë filloi edhe shkëmbimi i zjarrit. Dëshmitarët thanë se rojet qëlluan ndaj të burgosurve që u përpoqën të arratiseshin dhe shumica e viktimave janë nga radhët e të dënuarve.

Shumë të tjerë mbetën të plagosur. Autoritetet lokale thonë se tani situata është nën kontroll, ndërsa një ministër i kabinetit qeveritar tha se kanë nisur kërkimet për të arratisurit.

Familjarë dhe miq të të dënuarve janë mbledhur pranë burgut, të trembur për shëndetin e të afërmve të tyre. Rreth 4 mijë të dënuar mbahen në burgun Uelikada, në të cilin janë regjistruar akte dhune edhe më parë.

Drejtori i burgut ka sqaruar se dhuna filloi pasi të dënuarit rrethuan qindra komando të policisë që kishin hyrë në burg. Nga ana e tyre, forcat speciale përdorën gaz lotësjellës, por të burgosurit arritën t’i përçanin, duke iu marrë armët dhe duke marrë peng disa prej tyre.

Një oficer i burgut tha për BBC se komandot kishin ardhur pa pasur një mandat gjykate, gjë që sipas tij ka acaruar të dënuarit. Megjithatë, drejtuesit e burgut deklarojnë se të dënuarit hapën zjarr të parët.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›