S’kthen kush kusur 1, 2 dhe 5 centë

Që nga qarkullimi i monedhës euro, në Kosovë bizneset nuk i aplikojnë monedhat e kuqe si kusur ndaj konsumatorëve, ato 1 cent, 2 centë dhe 5 centë. Këtë fenomen e konfirmojnë shumë qytetarë, të cilët vlerësojnë se kjo është një plaçkitje që u bëhet në vazhdimësi atyre, nga bizneset e ndryshme në Kosovë.
Nga ana tjetër, disa prej bizneseve, gjithë fajin ua hedhin bankave, duke thënë se ato nuk po i furnizojnë me këto vlera të monedhave. Zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) e konfirmojnë se ndërmarrjet dhe bizneset janë të prira që të mos bëjnë kthimin e monedhave të kuqe (2 centë dhe 1 cent) gjatë transaksioneve duke bërë rrumbullakime në vlerën e faturës.
Sipas tyre kjo dukuri është evidente në mbarë territorin e Kosovës dhe qytetarët do të duhej të jenë më këmbëngulës në kërkesën e tyre për kthimin e saktë të vlerës gjatë blerjes.
Ankesat e konsumatorëve
Erza Vokshi, një konsumator që çdo ditë ballafaqohet me këtë problem, thotë se asnjëherë nuk merr kusurin në këto shuma të vogla, shkruan zëri.
“Monedha 1 cent dhe 2 centë, nuk del asnjëherë nga goja e arkëtares, nëse vlera që kam blerë është 2.99 euro, ato automatikisht më thonë 3 euro, e nëse duhet kthyer kusur 5 centë, pa paralajmëruar më japin një çamçakëz”, thotë Vokshi.
Kjo sipas saj, është një plaçkitje, nëse në fund të javës, i kalkulon faturat nga blerjet, atëherë del që nga 1 cent, 2 centë dhe 5 centë, që nuk i janë kthyer kusur, vlera del diku 1 deri në 2 euro, varësisht nga frekuentimi i marketit.
“E kanë menduar shumë mirë këtë punë dhe se kjo taktikë atyre u sjell përfitime, ngase sa konsumatorë ka super-marketi, nga 1 cent, dy centë, ose edhe më shumë, bëhen shumë, kjo është strategjia e tyre”, ka thënë Vokshi.
Një tjetër konsumator, që frekuenton shumë shpesh supermarketet, e sheh si zakon të ndërmarrjeve, moskthimin kusur të 1, 2 apo 5 centë dhe se ai as që ua kërkon t’i kthehet kusur shuma më pak se 10 centë, ngase, sipas tij, kjo i merr kohë, sepse duhet të qëndrojë te arka për më shumë se 5 minuta, duke pritur arkëtaren për kthim të kusurit.
“Nuk më kthehen asnjëherë 1 cent, 2 centë apo 5 centë, jam mësuar me këtë gjë dhe se nuk ua kërkoj, do të më duhej të pres për më shumë se 5 minuta, duke pritur arkëtaren, që sillet herë andej e herë këndej, për të m’i kthyer mua 5 centë” thotë Zeqirija Prebneza, konsumatore.
BQK: Moskthimi i centëve, dukuri në Kosovë
Menaxherja e supermarketit “ETC”, ankohet duke thënë se banka nuk i furnizon mirë me këto vlera të parave, edhe pse kanë pasur kërkesa për këto mjete.
Bile sipas menaxheres së supermarketit të “ETC”-së, për shkak të mosfurnizimit mirë me monedhat e imëta, dalin keq para konsumatorëve dhe se nganjëherë u japin më shumë kusur, vetëm për të qenë besnikë ndaj konsumatorëve.
Por, Banka Qendrore e Kosovës (BQK), menjëherë e hedh poshtë një gjë të tillë, ngase, sipas tyre, ato kanë sasi të mjaftueshme të monedhave të kuqe, por kërkesa për këso lloj monedhash është e ulët.
Jeton Bajramaj, Drejtor në departamentin e Operacioneve me Para të Gatshme me Pagesa, thotë se ndërmarrjet dhe bizneset janë të prira që të mos bëjnë kthimin e monedhave të kuqe (2 cent dhe 1 centë) gjatë transaksioneve duke bërë rrumbullakime në vlerën e faturës.
Kjo dukuri është evidente në mbarë territorin e Kosovës dhe qytetarët do të duhej që të jenë më këmbëngulës në kërkesën e tyre për kthimin e saktë të vlerës gjatë blerjes që rrjedhimisht do t’i shtynte bizneset që të rrisin kërkesën për këto denominime tek bankat komerciale.
“BQK-ja mban sasi optimale të kartëmonedhave euro dhe i furnizon bankat komerciale në mënyrë të vazhdueshme gjithnjë duke u bazuar në kërkesat e këtyre të fundit”, deklaron Bajramaj.
Mbushjet 19.95 euro apo 20 euro...
Ergyn Hamdiu, klient i produkteve të IPKO-s, ballafaqohet çdo muaj me këtë problem, ku të cilit rrallë herë i kthehen 5 centët si kusur, duke u arsyetuar që s’kanë, përderisa çmimet janë për shembull: 19.95 euro.
Ai thotë se ata e kanë menduar mirë një gjë të tillë, ngase, sipas tij, klientët e IPKO-s, kanë të ardhura sa për të marrë produktet e IPKO-s dhe se nuk kanë mbetur në 5 centët kusur, mirëpo ai vetë deklaron se nuk do t’i merrte edhe sikur t’i kthenin. “Me 5 centë, nuk bëhem shtëpi”, shton Hamdiu.
Të njëjtin mendim me Hamdiun, e ndan edhe Sabit Grajçevci, klient i të gjitha produkteve të IPKO-s. Ndërsa, në lidhje më këtë, IPKO nuk u është përgjigjur pyetjeve që i janë drejtuar nga gazeta.
Menaxheri i supermarketit “Interex”, nuk i sheh aspak problematike, monedhat e kuqe, 1 cent, 2 centë apo 5 centë, ngase, sipas tij, supermarketi që menaxhon ai, ka sasi të mjaftueshme të këtyre monedhave, nëse ndodh ndonjëherë që të hasin në këtë mungesë, atëherë punonjësit e këtij marketi, janë të detyruar që të kthejnë më shumë kusur.
“Për të qenë në rregull me konsumatorin, ne u kthejmë kusur më shumë, por kjo nuk ndodh aq shpesh, ngase kemi mjaftueshëm monedha të imëta, 1 cent, 2 centë, e sidomos 5 centë”, thotë Vegim Beqiri, menaxher në “Interex”./Indeksonline/