E Hënë, 2 Nëntor 2026

Stacionet e plazhit për vitin 2025 – Më tepër hapësirë për plazh publik në Pogradec

Prej datës 15 nëntor janë hapur aplikimet për menaxhimin e përkohshëm të stacioneve të plazhit për vitin 2025 edhe për bashkinë e Pogradecit. Prioritet për stacione plazhi do të kenë vetëm strukturat akomoduese, pra hotelet e vijës së parë dhe të dytë të bregut të liqenit. Në Pogradec gjatë sezonit veror të këtij viti plazhet publike zinin 70%, teksa vitin e ardhshëm do të ketë më shumë hapësira publike për pushuesit.

“Këtë vit ndryshe nga herët ë tjera të drejtën për aplikim për stacionet e plazhit e kanë vetëm strukturat akomoduese të cilat janë në vijën e parë dhe të dytë të bregut të liqenit. Hartat e plazheve sivjet nuk do të jetë 70 me 30 por ky raport do të jetë në bazë të strukturave akomoduese”, u shpreh Enjela Karafili, Drejtore e Tatim-Taksave në Bashkinë Pogradec.

Ndryshim këtë vit do të ketë edhe tek numri i çadrave, i cili do të caktohet dhe miratohet në varësi të numrit të dhomave të deklaruara nga subjekti. Aplikimet do të jenë të hapura deri në datën 15 dhjetor.

Gazetare Elsa Xhindole

/RTSH/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›