E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stacioni i trenit transferohet në Kashar

19/12/2011  Basha diskuton buxhetin me banorët e Laprakës. Përgjatë Rrugës së Durrësit do ngrihen 4 mbikalime

Sigurohet sipërfaqja 80 mijë m2. Detajimet për rrugët, Tramvajin, Lumin e Tiranës etj

Stacioni i trenit do të transferohet në zonën pranë Kasharit. Shqetësimet e ngritura prej vitesh nga banorët e zonës së Laprakës për zhvendosjen e shinave të trenit nga lagjet e banuara gjen përgjigje në buxhetin e Tiranës për 2012-n, për të cilin është gjetur tashmë dhe vendndodhja e re e stacionit të trenit. Sikundër kishte premtuar, kryebashkiaku Lulzim Basha ka vijuar konsultimet me qytetarët, kësaj radhe në njësinë bashkiake nr 11 në Laprakë, ku ka diskutuar me qytetarët projektet që do të realizohen duke nisur nga viti i ardhshëm. Transferimi i stacionit të trenit, sipas Bashës do të shmangë një prej fatkeqësive më të mëdha që ka sjellë vendndodhja e pasiguruar e shinave të trenit përmes një lagjeje të Tiranës, e cila merr mesatarisht dy deri në tri jetë në vit. Ndërkohë që transferimi i tyre do të krijojë një potencial të lartë zhvillimi urban për këtë zonë. Potencial ky që do të reflektohet në planin e ri urbanistik, ku kjo zonë dhe banorët e saj me pronarët me dokumente apo pronarët që do t’i marrin sipas ligjit të legalizimit, do të kenë mundësi të zhvillojnë pronën e tyre në parametrat më optimalë të mundshëm dhe me koeficientët më të lartë të mundshëm të zhvillimit. “Ne do të nisim së shpejti transferimin e stacionit të trenit nga vendi ku ndodhet tani tek territori që kemi marrë, që është shumë afër njësisë suaj vendore, pavarësisht se shtrihet në territorin e Kasharit, një sipërfaqe prej 80 mijë metrash katrorë, ku ne do të vendosim stacionin e ri të trenit”, ka pohuar Basha. Pranë kësaj zone ndërkohë do të instalohen edhe stacioni i autobusëve interurbanë të të gjitha drejtimeve, me përjashtim të lindjes. Pra për perëndimin, veriun, jugun dhe drejtimet e ndërmjetme, ndërkohë që në këtë pjesë do të nisë edhe projekti i njërit prej linjave të tramit, që përkatësisht është klasifikuar tashmë si linja Laprakë-sheshi “Nënë Tereza”. Sipas Bashës, vendosja e këtij terminali realizon nga pikëpamja infrastruktore një hap shumë të rëndësishëm para se të nisë investimi strategjik i bulevardit të ri nga stacioni i trenit deri te lumi i Tiranës dhe më pas deri te rezervuari i Paskuqanit, që është edhe bërthama e parkut të ri të qytetit të Tiranës. Ky terminal njëkohësisht do t’i japë edhe një tjetër zhvillim kryeqytetit, veçanërisht atij ekomomik e sferës së punësimit. “Nga pikëpamja e zhvillimit të ri ekonomik dhe e Tiranës policentrike, vendosja e këtij terminali multimodal pasagjerësh me një afërsi gjeografike pothuajse të puqur me njësinë vendore 11, përfaqëson një nga ndërmarrjet tona më të rëndësishme të zhvillimit dinamik të Tiranës në tërësi dhe të kësaj njësie vendore në veçanti”, ka shtuar më tej Basha. Një investim tjetër që do të nisë vitin e ardhshëm, ku bashkia do të luajë një rol kryesor në planifikimin e buxhetit modest (pasi pjesa dërrmuese e fondeve do të akordohen nga qeveria), është segmenti i unazës së re nga qendra “Kristal” tek Teknologjikja, për t’u bashkuar me unazën e re që është ndërtuar prej kohësh dhe ndërtimin me dy nivele të rrethrrotullimit të Doganës. Gjithashtu Basha është ndalur edhe në ndërhyrjet specifike që do të realizohen në përmirësimin e lumit të Tiranës. Kjo pasi ky lumë sot është në gjendje të degraduar, por me projektin që parashikohet të realizohet do të shndërrohet në një ndër pjesët më të rëndësishme të zhvillimit urban në kryeqytetit shqiptar. Më tej, Basha ka bërë të ditur se ka nisur puna për ndërtimin e qendrës sociale në Laprakë, si një pjesë e angazhimit për të pasur 6 qendra të tilla deri në qershorin e vitit të ardhshëm. Gjatë fjalës së tij Basha përmendi edhe rikonstruksionin e disa shkollave e kopshteve në këtë minibashki. Projektbuxheti i bashkisë për vitin 2012, parashikon rikualifikimin urban të infrastrukturës rrugore, ujësjellës kanalizime, rikonstruksion dhe ndërtim shkollash, kopshte e çerdhe, ndërtimin e një qendre sociale etj., duke kthyer kështu vëmendjen e bashkisë edhe ndaj kësaj njësie bashkiake.

Investimet në infrastrukturën rrugore

Buxheti i kryeqytetit për 2012-n parashikon një sërë investimesh që do kryhen në përmirësimin e infrastrukturës, e veçanërisht asaj rrugore që në këtë zonë lë shumë për të dëshiruar. Për këtë njësi bashkiake janë planifikuar vitin e ardhshëm fonde të mjaftueshme për ndërtimin e unazës në Kodër-Kamëz me një gjatësi prej 1300 metrash, ndërtimin e rrugës që lidh rrugën “Don Bosko” me rrugën “Egnatia”, rehabilitimin total të bllokut mbi shinat në një sipërfaqe prej 30 hektarësh, ndërtimin e kanalizimeve të ujërave të zeza në kufi me komunën e Paskuqanit, ndërtimin e kanalizimit të ujërave të zeza në Bregun e Lumit.

Si do të zhvendoset stacioni i trenit

Detajohet edhe plani i punës për zhvendosjen e stacionit të trenit. “Ne do të nisim së shpejti transferimin e stacionit të trenit, nga vendi ku ndodhet tani tek territori që kemi marrë, që është shumë afër njësisë suaj vendore, pavarësisht se shtrihet në territorin e Kasharit, një sipërfaqe prej 80 mijë metrash katrorë, ku ne do të vendosim stacionin e ri të trenit, stacionin e autobusëve interurbanë të të gjitha drejtimeve, me përjashtim të lindjes. Pra, për perëndimin, veriun, jugun dhe drejtimet e ndërmjetme, si dhe ku do të nisë projekti i njërit prej linjave të tramit, që përkatësisht do ta përkufizoja si linja Laprakë-sheshi “Nënë Tereza”.

4 mbikalime përgjatë Rrugës së Durrësit

Në bashkëpunim me sektorin privat është menduar që gjatë vitit të ardhshëm të nisë ndërtimi i katër mbikalimeve përgjatë gjithë rrugës së Durrësit. Basha ka konfirmuar se tashmë inxhinierët kanë përfunduar matjet topografike si dhe preventivin për ndërtimin e këtyre katër mbikalimeve, investim ky i parashikuar për t’u realizuar në bashkëpunim me sektorin privat e kompani të ndryshme që do të punojnë me bashkinë e Tiranës. Vendndodhja e saktë e tyre do të përcaktohet në bazë të matjeve të trafikut, si dhe opinioneve që do merren nga qytetarët e dy anëve të Rrugës së Durrësit, e njësive bashkiake nr 11 e nr 7.

Ndërhyrja në kopshte e çerdhe

Një zë të veçantë në buxhetin e vitit të ardhshëm përbëjnë edhe fondet që do të shkojnë mbi përmirësimin e kushteve në kopshtet, çerdhet e shkollat e kësaj njësie bashkiake. Konkretisht bëhet fjalë për rikonstruksionin e dy kopshteve në rrugën “Gjergj Legisi” e atë në Kodër-Kamëz, si dhe investime në çerdhen 11 e 30. Do bëhet edhe instalimi i pajisjeve të ngrohjes në kopshtin e Bregut të Lumit. Do të ndërtohet një komponent shtesë në shkollën “Isa Boletini” dhe do ndërtohet tërësisht shkolla 9-vjeçare “Ahmet Gashi”, teksa po punohet për ndërtimin e qendrës sociale në Laprakë.

Ndryshimet thelbësore në infrastrukturë

Banorët e njësisë bashkiake numër 11 janë përfituesit kryesore të një sërë projektesh strategjike që marrin jetë gjatë vitit 2012, siç është ndërtimi i terminalit të ri të trenit dhe autobusëve urbanë dhe interurbanë. Nisma e parashikuar për zhvendosjen e shinave të trenit, një problem tejet shqetësues për banorët e kësaj zone, është konkretizuar me gjetjen e hapësirës së ku do të zhvendoset stacioni i tenit. Ndërkohë që pranë tij do të vendosen edhe linja e tramit Laprakë- sheshi “Nënë Tereza”. Krahas këtyre ndërhyrjeve në buxhetin e Tiranës janë parashikuar edhe projektet konkrete për rehabilitimin e lumit të Tiranës, ndërhyrja në rrethrrotullimin e Doganës dhe mbikalimet që parashikohen të ndërtohen përgjatë Rrugës së Durrësit, projekte që kanë impakt mbi këtë zonë si për sa i përket zhvillimit ekonomik, por edhe punësimit, zbatimi i të cilave do të marrë udhë në buxhetin e vitit të ardhshëm, buxhet i cili është parashikuar të kalojë për miratim në mbledhjen e radhës të këshillit bashkiak, që do të zhvillohet më datën 28 dhjetor 2011.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›