Stamboll – Ministrja Balluku në Forumin Global: Transporti multimodal, i rëndësishëm dhe jetësor

70 ministra dhe shumë delegacione nga e gjithë bota iu bashkuan në fundjavë Forumit Global të Transportit dhe Ndërlidhjes, për të ndarë eksperiencën në projektet e guximshme infrastrukturore.
E pranishme në eventin e mbajtur nën kujdesin e qeverisë turke ishte edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Në panelet me homologët e saj, shefja e dikasterit prezantoi projektet e Shqipërisë në fushën e transportit rrugor dhe aviacionit civil. Zhvillimi i porteve tona detare e ka futur Shqipërinë në listën e vendeve të zhvilluara, theksoi ministrja Balluku me një videomesazh nga Stambolli.
“Panele me prezencë të ministrave për trajtimin e çështjeve më sensitive janë zhvilluar para një publiku të gjerë për të folur qartë e hapur për sfidat që përballen sot qeveritë, përsa i përket transportit dhe ndërlidhjes multimodale në tërësi, teknologjisë së re që avancon çdo ditë dhe që kërkon angazhim nga të gjithë aktorët e transportit. Elektrifikimi i hekurudhave, flotat e reja të automjeteve elektrike, portet e gjelbra dhe të lidhurat me portet e thata dhe mbi të gjitha projekte me përfitim rajonal janë diskutuar, pasi transporti nuk ka më kufij.
Kam prezantuar me këtë rast progresin e rëndësishëm që Shqipëria ka bërë në fushën e transportit rrugor, aviacionit civil, si dhe kam prezantuar projektet e reja që lidhen me portet, me ato porte, të cilat e kanë futur Shqipërinë në një listë tjetër, në një listë të vendeve të zhvilluara.“
Forumi Global për Transportin dhe Ndërlidhjen doli me një thirrje të komunitetit për bashkëpunim të qenësishëm për projekte të bashkërenduara, që lidhin vende dhe rajone, madje edhe kontinente.
“Në ditët e sotme, kur padyshim siguria është në rendin e parë të listës së çdo qeverie, transporti, ai multimodal është i rëndësishëm dhe është jetësor,” tha ministrja Balluku.
/rtsh.al/