E Diel, 1 Nëntor 2026

Stamboll/ Naco bisedon me zv.kryeministrin turk per gazsjellesin TAP

Në datat 17-18 nëntor u zhvillua në Stamboll Forumi Vjetor për Ekonominë dhe Energjinë, të vendeve Anëtare të Organizatës së Detit të Zi, e organizuar nga Këshilli Atlantik me qendër në SHBA.

Zyra e shtypit e METE-s, bëri të ditur se në këtë forum të rëndësishëm merrnin pjesë personalitete të larta të politikës botërorë, kryeministra dhe ministra të qeverive të rajonit, si dhe drejtues ekzekutiv nga kompanitë më prestigjoze në botë në fushën e energjisë, kryesisht në atë të sektorit të naftës dhe gazit.

Mes përfaqësuesve të lartë të qeverive pjesëmarrëse në këtë forum, qeverinë shqiptare e përfaqësonte një delegacion i kryesuar nga Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço.
Tema kryesore për këtë vit, ishte rëndësia e bashkëpunimit të vendeve të këtij rajoni kryesisht në rritjen e potencialit të investimeve në fushën e energjisë, me fokus të veçantë forcimin e marrëdhënieve të partneritetit Publiko-Privat në projekte strategjike që synojnë stabilitetin politik, sigurinë energjitike dhe prosperitetin ekonomik.

Gjatë këtij aktivitetii,ministri Naço pati edhe një takim të veçantë pune me zv.kryeministrin dhe Ministrin e Shtetit për Doganat, Hayati Yazici, si dhe me Ministrin e Energjisë dhe Burimeve Natyrore të Republikës së Turqisë, Taner Yildiz. Z.Naço dhe homologu i tij Yildiz, konfirmuan intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve tona si dhe interesin gjithmonë në rritje për investime të reja të kompanivë turke në Shqipëri në të gjithë sektorët e ekonomisë, dhe sidomos në sektorin energjitik dhe minerar.

Pasi bëri një ekspoze të zhvillimeve ekonomike në Shqipëri, kreu i METE-s, vlerësoi përmirësimin e dukshëm të klimës së biznesit për investitorët e huaj, në mënyrë të veçantë i kërkoi z.Yildiz mbështetjen e qeverisë turke për realizimin e një sërë projektesh energjitike, ku më kryesori për Shqipërinë në planin gjeostrategjik mbetet projekti i gazsjellësit Trans-Adriatik Pipeline, i cili parashikon sjelljen e gazit nga deti Kaspik dhe fushat e Shah Deniz në Azerbajxhan, drejt Turqisë, Greqisë, Shqipërisë dhe nëpërmjet detit Adriatik për në Itali.

Nga ana e tij, Yildiz siguroi që qeveria turke do të nxisë investimet e kompanive turke në Shqipëri në sektorët strategjik, si dhe do të mbështesë të gjitha projektet energjetike të gazsjellësve, të cilët do të siguronin furnizimin me gaz të Ballkanit Perëndimor, ku përfshihet dhe Shqipëria si pjesë e rëndësishme për koridorin jugor të energjisë për në Europë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›