Diabeti tip II, rrezik për moshat e reja dhe fëmijët
Diabeti tip 2, nga i cili preken më shumë moshat e rritura, ka filluar të shfaqet edhe te të rinjtë duke mos kursyer as fëmijët. Shqetësimi është ngritur nga mjekët në konferencën kombëtare të diabetit, të cilët sqarojnë se mosha më e prekur nga diabeti është grupmosha 40-65 vjeç, që përbën gati 40% të rasteve, por diabeti tip 2 po haset gjithnjë e më shpesh edhe në moshat 30-40 vjeç. Sipas mjekëve, rreziku i diabetit qëndron në faktin që po prek moshat që janë aktive për punë, ndërkohë që forma e diabetit 2 po takohet edhe te fëmijët. Në Konferencën Kombëtare të diabetit, e mbajtur dje me rastin e mbylljes së javës sensibilizuese të kësaj patologjie, ka qenë i pranishëm edhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili ka kërkuar nga qytetarët që të jenë shumë të vëmendshëm ndaj çdo mesazhi që vjen nga sistemi shëndetësor, pasi ka të bëjë me mirëqenien e tyre. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, diabeti prek rreth 5% të popullsisë së botës dhe numri i të sëmurëve është vazhdimisht në rritje, duke u dyfishuar çdo 10 vjet. Në botë sot numërohen rreth 200 milionë diabetikë dhe në vitin 2025 mendohet të jenë 330 milionë diabetikë, apo 6,3% e popullsisë së botës. Diabeti shkakton çdo vit 5% të vdekjeve globale dhe mendohet se vdekjet nga diabeti në 10 vitet e ardhshme do të rriten me 50%. Sa i takon Shqipërisë, prevalenca e diabetit në popullatën adulte është 1.25%, që do të thotë se kemi afërsisht 40 mijë diabetike të njohur. Në fakt, numri duhet të jetë 2-3 herë më i lartë, pasi në disa depistime të kryera në Tiranë (2004, 2006, 2008, 2009, 2010) prevalenca e diabetit të pa diagnostikuar ka qenë 3-4%, që do të thotë se në realitet shifra e përafërt e diabetikëve duhet të jetë 120-150 mijë. Sëmundja e diabetit është e parandalueshme, ndërkohë që konsiderohet si një sëmundje me zhvillim të ngadaltë dhe shpesh të “heshtur”. Ndaj sensibilizimi, informimi i komunitetit për njohjen e diabetit, merr një rëndësi të madhe.