E Diel, 1 Nëntor 2026

StarShip arrin për herë të parë në orbitë, raketa e SpaceX vendos 26 satelitë Starlink V3 në hapësirë

SpaceX ka shënuar një moment historik me raketën Starship, e cila për herë të parë ka arritur në orbitën e Tokës dhe ka vendosur me sukses 26 satelitë Starlink V3.

Raketa, rreth 122 metra e gjatë, u nis nga baza e kompanisë në Teksas, në një nga misionet më të rëndësishme të programit Starship.

Nisja fillimisht shkoi sipas planit, ndërsa përforcuesi gjigant u drejtua drejt Tokës dhe përfundoi me një ulje të kontrolluar në ujërat pranë zonës së planifikuar.

Gjatë ngjitjes, një nga motorët e fazës së sipërme pësoi defekt, por SpaceX vijoi misionin pavarësisht problemit. Rreth orës 08:15, Starship arriti në orbitë, duke realizuar për herë të parë këtë objektiv pas disa përpjekjesh.

Misioni vijoi me vendosjen në hapësirë të 26 satelitëve Starlink V3, duke shënuar edhe transportin e parë të një ngarkese komerciale reale nga Starship. Kompania nuk tentoi kapjen e përforcuesit me krahët e kullës së lëshimit, por parashikoi që të dyja fazat të përfundonin me ulje në ujë.

Arritja në orbitë dhe vendosja e satelitëve janë të rëndësishme për planet e SpaceX për zgjerimin e rrjetit Starlink, ndërsa Starship ka kapacitet më të madh transportues se Falcon 9. Kompania synon që përdorimi i përsëritur i raketës të ulë ndjeshëm kostot e transportit hapësinor dhe të mundësojë dërgimin e një numri shumë më të madh satelitësh në orbitën e ulët të Tokës.

Në planin afatgjatë, SpaceX e sheh Starship si një nga mjetet kryesore për zgjerimin e Starlink dhe për misionet e ardhshme drejt Hënës dhe Marsit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›