Statistikat e DPSHTRR-së, ritestimi për lejen e drejtimit nxjerr në pah nivelin e ulët të kalueshmërisë, vetëm 5 nga 46 kandidatë kalojnë testin e radhës

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) ka bërë publike shifrat më të fundit nga ritestimi për rifitimin e lejes së drejtimit, duke nënvizuar se procesi mbetet një sfidë e vërtetë për drejtuesit e mjeteve që u është hequr patenta.
Sipas të dhënave zyrtare, në sesionin më të fundit ritestues, nga 46 kandidatë të riregjistruar në provim, vetëm 5 prej tyre arritën të kalojnë me sukses provimin teorik dhe praktik. Sa i përket bilancit të përgjithshëm, institucioni njofton se “prej nisjes së fushatës Qershor 2022, nga totali i riregjistrimeve prej 3,573 kandidatë, numërohen 496 (ose 13.8 %) rifitime të Lejes së Drejtimit”.
Nisur nga niveli i ulët i kalueshmërisë, DPSHTRR u bën thirrje të gjithë kandidatëve që të tregojnë seriozitet dhe të shfrytëzojnë burimet zyrtare për përgatitjen e tyre, përfshirë platformën e simulimit online dhe aplikacionin “Leje Drejtimi”. Përgatitja rigoroze dhe njohja e rregullave konsiderohen thelbësore nga institucioni, me qëllim që të garantohen “drejtues që janë më të përgjegjshëm në qarkullim” dhe rritja e sigurisë rrugore në vend.
/rtsh.al/