E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statusi i Artistit, pengu i ministrit në ikje

Që nga dita e djeshme, Ferdinand Xhaferaj do të jetë ish-ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, pas dorëheqjes së tij për arsye të kandidimit për kreun e Bashkisë së Durrësit.

Përpara stafit të tij dhe përfaqësuesve të institucioneve në varësi, ministri Xhaferaj u shpreh se viti 2010 ishte më i suksesshmi për disa nga institucionet e kulturës dhe artit, si Teatri i Operas, Galeria e Arteve dhe Muzeu Kombëtar, por sidomos në fushën e turizmit, ku bilanci i MTKR-së numëron se gjatë 2010-s në vendin tonë kanë hyrë 3.5 milionë turistë. "Për më saktë, viti që sapo lamë pas ka sjellë më shumë se 500 000 vizitorë të huaj, krahasuar me një vit më parë" - tha Xhaferaj para se të deklaronte zyrtarisht dorëheqjen e tij. “Bazuar në disa principe morale për një garë krejtësisht të lirë dhe të ndershme, unë jap dorëheqjen nga pozicioni i ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ne arritëm që në vitin 2010, mediat më prestigjioze ndërkombëtare, si asnjëherë më parë në këto 20 vite, ta rendisnin Shqipërinë si një destinacion turistik që nuk duhet humbur. Po kështu, 2010-ta ishte vendi i parë ku numri i vizitorëve kaloi numrin e popullsisë", tha Ferdinand Xhaferaj, ministër i MTKRS. Por në ditën e tij të fundit në këtë post ministri Xhaferaj largohet dhe me një peng. “Do të kisha dëshirë që statusi i artistit të miratohej përpara kësaj dorëheqjeje”- tha ai, duke lënë të nënkuptojë se kjo tashmë i përket ministrit pasues. Sigurisht që kuriozitetit të gazetarëve nuk mund t’u shpëtonte dhe emri i pasuesit, por Xhaferaj me shumë finesë e largoi vëmendjen ndaj kësaj. “Për disa kohë Ministria e Turizmit dhe Kulturës do të drejtohet nga zëvendësministrja Suzana Turku. Se kush do të jetë ministri i ri, është një vendim që i përket Kryeministrit të vendit”- u shpreh Xhaferaj. Ferdinand Xhaferaj u emërua ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në shtator të 2009-ës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›