Adriana Elini “rikthehet” mes kolegëve
Adriana Elini - Xhajanka, do të mbetet gjithmonë një emër i nderuar mes regjisoreve shqiptare, që do të kujtohet gjithmonë për vlerat dhe trashëgiminë artistike që ajo ka lënë pas. E në ceremoninë përkujtimore që u organizua dje nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, në kuadrin e veprimtarisë “Marsi - muaji i kineasteve shqiptare”, janë jo pak miq e kolegë që duan të thonë diçka më shumë për vlerat e saj jo vetëm si regjisore por dhe si njeri. Kujtojnë me mall momentet e punës në studiot e montazhit kolegët dhe koleget e saj. Adriana Elini-Xhajkana, është padyshim një ndër regjisoret më të mira të kronikave e dokumentarëve, që tashmë janë pasuri e madhe e Arkivit Shtetëror të Filmit. Ndër filmat më të mirë në vite përmenden: “Qilimat tanë”, “Art i lashtë, mjeshtër të rinj”, "Tokë e begatë”, "Me pushkë e penë për mëmëdhenë”, “Manush Alimani”, “Çdo vijë, një vizatim”- film që u nderua me medaljon për regjinë në Festivalin VI të Filmit Dokumentar, “Kolë Idromeno”, nderuar me Çmim të Tretë në Festivalin VII të Filmit Dokumentar etj. Dje, të mërkurën kushtuar asaj, u shfaqën filmat dokumentarë: “Qilimat tanë”, “Kolë Idromeno” dhe “Çdo vijë, një vizatim”. Kineastë që ka lënë gjurmët e saj në historinë e dokumentarit shqiptar. Ashtu siç rrëfejnë dhe miqtë e shumtë, asaj nuk do t’i mjaftonte as ky shkrim për t’i përmendur të gjithë, ajo nuk la rrugicë të Shkodrës pa shkelur e bodrum shtëpish të vjetra shkodrane pa u futur, për të gjetur gjurmët e piktorit të madh Kolë Idromeno. Puna e saj e palodhur për të zbuluar këtë figurë të artit shqiptar duket në çdo kënd të kameras. Film që pasi e sheh kupton pse ai u shpall fitues në Festivalin e Shtatë të Filmit Dokumentar. Pas “zbulimit” të Kolë Idromenos, paraditen e djeshme u shfaq dhe dokumentari i jetës së saj me titull “Ese filmike për kineasten Adriana Elini” me skenar të Ilia Dedes dhe operatorit Ferdinand Karuni. “In Memoriam”, shfaqja e këtij dokumentari me rastin e 74-vjetorit të lindjes dhe 17-vjetorit të ndarjes nga jeta, të një prej regjisoreve më të njohura. “Bota e madhe e artit shqiptar shkëlqen fuqishëm nga puna dhe talenti i sa e sa artistëve të pasionuar, të cilët vunë gjithçka në shërbim të tij, kohën, rininë, forcat, për të sjellë në art jetën e përditshme, njerëzit e thjeshtë”. E një vend të pazëvendësueshëm në këtë aureolë të madhe zë edhe regjisorja Adriana Elini-Xhajanka.